Gazeta Si – Një gjuajtje e mesfushorit, e devijuar nga Kruniç, vendosi kryendeshjen e kësaj jave në ‘San Siro’. Kuqezinjtë mbetën me 10 vetë që në minutën e 40-të, pas kartonit të kuq të Thiau. Interi mbetet i vetëm në krye.
Juventusi ka fituar 0-1 ndaj Milanit në ‘San Siro’. Fitorja e skuadrës së Alegrit në ‘big match’-in e javës së 9-të të Serisë A e çon atë në -1 nga kuqezinjtë. Po ashtu, kjo fitore lumturon edhe Interin, që pas fitores ndaj Torinos të shtunën, kryeson renditjen i vetëm (22 pikë).
Milani e nisi mirë ndeshjen dhe vetëm një mrekulli e Sheznit i mohoi golin sulmuesit Zhiru. Juventusi hasi vështirësi, por në minutën e 40-të situata ndryshoi. Thiau pengoi Kean që ishte nisur drejt portës dhe u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Milanin me 10 vetë.
Në minutën e 63-të, ish-lojtari i Milanit, Lokateli, gjeti goditjen fituese falë edhe një devijimi vendimtar të Kruniç. Në fundin e ndeshjes Mirante shpëtoi portën e Milanit dy herë ndaj Vlahoviçit dhe Kambiasos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.