Gazeta Si – Pas Jasir Asanit, një tjetër lojtar kuqezi ka marrë vëmendje të madhe në merkaton europiane. Ernest Muçi, me dygolëshin e realizuar ndaj Aston Vilës në Ligën e Konferencës, ka rritur ndjeshëm kuotat për të lënë Legian dhe Poloninë dhe për të kaluar në një klub më të madh.
Muçi është sulmuesi e momentit nga ata që janë pjesë e Kombëtares. Ish-futbollisti i Tiranës është në formën perfekte. Meriton një kampionat më të fortë se ai polak për rritjen që ka treguar, ndërsa trajneri i Kombëtares, Silvinjo, i cili pa nga afër golat e tij në Varshavë, me siguri do t’i japë hapësirë ndaj Çekisë më 12 tetor.

Cikalleshi është dëmtuar, Broja vjen nga dëmtimi i gjatë dhe Uzuni nuk është në momentin më të mirë. Daku mbetet ‘rival’ i Muçit për qendrën e sulmit, por ai luan shumë mirë edhe në krahë, apo si numër 10, kështu që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë në fushë në ndeshjet e tetorit, kualifikuesen me Çekinë dhe miqësoren me Bullgarinë.
Aktivizimi i mundshëm me Kombëtaren kuqezi do të shërbente edhe më tepër në raport me merkaton. Legia mund të ketë marrë oferta konkrete dhe me siguri do të marrë të tjera në vazhdim. Klubi polak pritet të përfitojë financiarisht nga shitja e futbollistit shqiptar, ndërsa ai është gati për hapin e madh të karrierës. Me cilësitë që ka mund ta thotë fjalën e tij në skuadër më kompetitive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




