Kjo merkato vere nuk ka qenë aq shumë e bujshme dhe me shpenzime të mëdha për ekipet kryesore angleze. Vetëm nga një blerje për Sitin, Junajtid, Totenaham, Çelsi dhe sëfundmi Arsenal, ndërsa Liverpuli ende nuk ka bërë asnjë lëvizje.
Por të ndalemi pak te Arsenali dhe blerja më e fundit e “topçinjve” që u zyrtarizua vetëm dje pasdite. Quhet Nikolas Pepe, 24 vjeç dhe nga mediet franceze dhe ato në Angli ka filluar të quhet si pasardhësi i quhet si pasardhësi i Mesit. Ky krahasim sigurisht që nuk bëhet për shkak të klasit që ka në këmbë dhe aq më pak për ndonjë ngjashmëri fizike.

Janë numrat, ato që i japin të drejtë Pepe që të vihet në peshore me fenomenin argjentinas. Në sezonin e fundit në Ligue 1 në Francë, vetëm Kilian Mbape shënoi më shumë se ai. Me një ekip modest si Lile, që nuk konkurron për titullin kampionë në Francë, Pepe arriti të shënonte 23 gola dhe shërbeu 13 herë për shokët e skuadrës. Por jo vetëm kaq, pasi Nikolas Pepe ishte lojtari i vetëm në 5 ligat kryesore europiane që kishe; 100+ goditje, 100+ faulle të fituara & 100+ driblime të kompletuara në kampionat gjatë sezonit të shkuar. Në 5 kampionatet kryesore të Europës vetëm ai dhe Mesi arritën të kishin bilancin +20 gola dhe +10 asiste, të tjerët janë më pas.
Rekordet e Pepe nuk ndalen këtu. 24-vjeçari nga Bregu i Fildishtë zyrtarisht nga dje u bë lojtari afrikan i blerë më shtrenjtë në merkato, plot 80 milionë euro. Pepe ka lënë kështu legjenda të futbollit afrikan, por edhe yje aktual, si Mane, Salah, Keita apo edhe shokun e skuadrës te Arsenali, Aubumejang.
Dje ai u prezantua në Londër me fjalët se ka idhull Mesin dhe dëshiron të fitojë trofe të rëndësishëm me Arsenalin. Por për “topçinjtë” nuk e patën aq të lehtë për të siguruar shërbimet e yllit afrikan, pasi deri në fund në garë ishte edhe Napoli, por sigurisht çmimi i kripur që Lile kërkonte nuk mund të paguhej nga një kursimtar si Aurelio De Laurentis.
Me gjithë këto rekorde dhe numra të frikshëm të gjithë jemi kurioz që ta shikojmë në aksion Pepe me Arsenalin që këtë vit duket se e ka ndarë mendjen që të luftojë për titullin, ose të paktën të rikthehet në Champions.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




