Futboll

Lojtari i Shalkes gjendet 4 vjet pas lajmit të vdekjes, punon elektricist

Hianik Kamba ka bërë bujë me historinë e tij në Gjermani. Kongolozi që ka luajtur me të rinjtë e Shalkes, në një skuadër me portierin e njohur Manuel Nojer, kaloi te skuadra B dhe më pas u zhduk nga profesionistët dhe luajti për disa klube diletante të zonës. Kur u dha lajmi për ndarjen e tij nga jeta, për shkak të një aksidenti rrugor në vendin e lindjes, klubet e nderuan me dhimbje. Ishte janar i 2016-ës.

Ata që kanë qarë tani mund të qeshin, sepse Kamba, 33 vjeç, është gjallë dhe punon për një kompani elektrike në Ruhr, në zonën e Gelsenkirshen. E ka zbuluar gazeta “Bild”, që shkruan se për këtë rast është hapur një hetim nga Prokuroria e Esenit, që nuk është përqendruar tek ish-futbollisti, por tek ish-bashkëshortja e tij. Ajo ka mashtruar për sigurimet dhe ka inskenuar aksidentin rrugor për të përfituar. Prokurori Anet Milik ka deklaruar: “Kemi një akuzë për mashtrim, por ajo e mohon këtë fakt. Kamba ka deklaruar se ishte ndarë nga shokët e tij gjatë natës në një fshat të Kongos, në janar të 2016-ës, kur kishte mbetur pa dokumente, pa para dhe pa telefon”. Kamba nuk kishte dijeni për atë çfarë ishte inskenuar atë kohë, më pas diçka kuptoi.

Kamba në rreth, kur ishte pjesë e Shalkes. Gazeta Si, 5 maj 2020

Në 2018-ën, Kamba kishte tentuar të kthehej në Gjermani nëpërmjet ambasadës gjermane në Kinshasa. Kolegëve të punës u kishte thënë se lajmi i vdekjes së tij ishte fals. Pas shumë hetimesh dhe formalitetesh burokratike, ai u kthye në Gelsenkirshen, madje filloi edhe punën që bënte më parë. Këtë histori e ka mësuar edhe Manuel Nojer, i cili për “Bild” ka thënë: “Jam shumë i lumtur që ai është gjallë. Lajmi për vdekjen e tij më kishte shokuar”.

Kamba ishte një talent në futboll. Ai ishte larguar nga Kongo bashkë me familjen për shkak të luftës civile. Prindërit e tij u kthyen në Afrikë në 2005-ën dhe ai donte të shkonte bashkë me ta, por Shalke i ofroi një kontratë me skuadrën B, kështu që Kamba kërkoi azil në Gjermani. Aty ndodhet edhe tani, mes lumturisë së njerëzve që e dinin të vdekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë