Një zgjedhje e pamenduar mirë e veshjes për festën e “Halloween”-it i ka krijuar shumë probleme futbollistit të Bajernit, brazilianit Rafinja, i cili është detyruar më pas të kërkojë falje publikisht, sespe vendimi i tij ka ngjallur shumë polemika në rrjetet sociale.
Mbrëmje emocionesh, shakash, frike dhe natyrisht feste ajo e “Halloween”-it, që ka bërë për vete edhe lojtarët dhe personazhet e tjerë të botës së futbollit. Festa e shtrigave ka vënë në lëvizje edhe Bajernin e Mynihut, por dikush duket se e ka ekzagjeruar me veshjen e zgjedhur për të frikësuar shokët dhe miqtë. Fjala është për brazilianin 33-vjeçar Rafinja, i cili ka bërë një shaka pa kripë, duke zgjedhur të veshë kostumin e një atentatori arab. Kjo zgjedhje e tij nuk ka kaluar pa u vënë re dhe menjëherë kanë shpërthyer polemikat.
Në foton e grupit të lojtarëve të Bajernit shfaqeshin vampirë, ujqër, monstra të njohur të ambientit horror, si për shembull personazhi “Jigsaw” i sagës “Saw”. Po Rafinja? Mbrojtësi i djathtë mbante një veshje tradicionale arabe me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe, mustaqe dhe size dielli, ndërsa në dorë kishte një pako, ku ishte shkruar “Kujdes”, çka nënkuptonte se brenda pakos ishte një bombë. Një veshje e ngjashme me atë të një atentatori të lindjes së mesme, e zgjedhur pa e menduar mirë nga futbollisti i Bajernit, që e ka parë veten në një situate të pazakontë.
Reagimet e fuqishme në rrjetet sociale e detyruan klubin bavarez dhe lojtarin të kërkonin ndjesë publike. Rafinja ka bërë një postim në profilin e tij zyrtar në Tuiter, ku shkruante: “Halloween është një festë kostumesh të frikshme dhe nuk kisha asnjë qëllim të ofendoja apo lëndoja askënd me veshjen time”. A do të mjaftojë kjo për të fshirë atë çfarë ka ndodhur me lojtarin e Bajernit?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.