Futboll

Pse po kërkohen më shumë futbollistë të huaj në Superiore?

Kampionati shqiptar ka ngritur siparin për edicionin e tij të 80’. Ky sezon i Superligës Shqiptare me ato çka na ka treguar deri më tani premton të jetë shumë ndryshe nga vitet e fundit. Në këtë kampionat nuk kemi një ose dy pretendentë kryesorë që nisen me objektiva maksimal për të fituar titullin kampion, por janë të paktën 5 skuadra që do të luftojnë kreun. Pas një viti mungesë rikthehet derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme, por që po kalon disi në heshtje është kërkesa e klubeve shqiptare për të rritur numrin e futbollistëve të huaj që mund të luajnë në kampionatin tonë.

Aktualisht një skuadër mund të aktivizojë 4 futbollistë të huaj në fushë, ku këtu nuk përfshihen lojtarët që kanë pasaportë kosovare dhe maqedonase. Prej disa vitesh, por këtë herë është bërë më konkrete klubet më të mëdha në vend kanë kërkuar që ky numër të shkojë në 5.

Por pse kërkohet një gjë e tillë?

Superliga Shqiptare në vitin që u mbyll në aspketin e tregtimit të talenteve mund të konsiderohet shumë i suksesshëm. Mjafton të përmendim kalimin e Abazaj dhe Guri në Belgjikë, apo të Çinarit te Alavesh në Spanjë dhe menjëherë bindemi se tre lojtarë të rinj që dalin për të luajtur jashtë vendit në skuadra potente nuk është një gjë e vogël. Por, përkundër këtij sinjali pozitiv po kërkohet të bëhet një hap pas. Klubet shqiptare duket sikur janë lodhur me rritjen dhe përkujdesjen e talenteve dhe tashmë duan të arrijnë suksesin në mënyrën më të shkurtër të mundshme. Marrja e një lojtari nga Afrika apo vendet fqinje në Ballkan, është një gjë e shpejtë dhe që në disa raste ka rezultuar produktive. Për një klub shqiptar kushton më pak nëse do të marrë për 10 muaj një lojtarë të gatshëm nga tregu i huaj ta ingranojë në stilin e lojës, se sa të fillojë ndërtimin e një akademie apo skuadrave të moshave për të pritur frytet. Durimi nuk është një cilësi shumë e dalluar tek presidentët e klubeve shqiptare.

Akademitë dhe investimi tek futbolli i të rinjve është shumë produktiv në vetëvete dhe këtë gjë presidentët e klubeve shqiptare e dinë shumë mirë, por për të bërë një gjë të tillë duhet shumë punë dhe vullnet. Me disa përjashtime të vogla klubet shqiptare nuk kanë ekipe B, por mjaftohen vetëm me një ose dy ekipe moshash që edhe ato nuk funksionojnë në mënyrën që duhet. Por përtej kësaj, problemi më i madh është aktivizimi i këtyre pak të rinjve që kalojnë në ekipet e para. Shpesh herë ata nuk marrin minutat e duhura dhe në rastet kur futen dhe nuk japin atë që pritet, vihen përballë një presioni shumë të madh psikologjik. Për të kuptuar më mirë këtë gjë, mjafton të përmendim faktin se një lojtar si Sindrit Guri në moshën 24-vjeçare, vijonte të cilësohej talent në edicionin e fundit të Superligës. Sulmuesi shkodran deri në moshën 21-vjeçare kishte luajtur në kategoritë inferiore ose kishte ngrohur stolin në disa ekipe të Superligës. Në momentin e pare, që atij iu dha mundësia e tregoi veten dhe tashmë luan në një nga kampionatet më cilësore në Europë, ku ka filluar të shënojë golat e parë.

Por edhe rasti i Gurit, Abazajt apo Bregut sërish nuk i bindi presidentët e klubeve shqiptare që të braktisin idenë e tyre se duhet rritur numri i të huajve në ndeshjet e kampionatit shqiptar. Por kush fiton nga kjo rritje? Me shumë mundësi askush nuk përfiton, përveç presidentëve që në fund të sezonit mund të krenohen me fitimin e kampionatit, Kupës, apo me arritjen në Kupat e Europës.

8 skuadra kërkojnë rritjen e numrit të të huajve, 2 kundër

Laçi dhe Kastrioti debutues janë shprehur kundër kërkesës për të rritur numrin e lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar. Në krahun e kundërt, Flamurtari është nga të parët klube që ka kërkuar që numri i të huajve të rritet. Pak paradoksale kjo kërkesë, që vjen nga një qytet që ka përqindjen më të madhe të talenteve të prodhuara në vitet e fundit dhe furnizon shumë skuadra të tjera të superiores dhe në kategorinë e parë. Por edhe klube të tjera si Tirana dhe Partizani që prodhojnë më shumë talente çdo vit e kanë mbështetur idenë për të pasur 5 lojtarë të huaj në fushë në kampionatin shqiptar.

Lidhur me këtë propozim, skeretari i FShF-së, Ilir Shulku nuk u nxitua as ta mohonte apo pohonte një lëvizje të tillë, por thjesht “pasoi topin”. “Sa i përket shtimit të lojtarëve, nga Komisioni i Garave ka ardhur propozim me firmat e 8 klubeve. Meqë federimet mbyllen me 31 gusht, ndonëse kampionati fillon këtë javë, klubet kanë kohë të bëjnë lëvizjet e rastit nëse miratohet”, u shpreh sekretari Shulku.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i FSHF, Edvin Libohova, dukej thuajse i sigurt që ky propozim do të miratohej. “Zakonisht propozimet e bëra nga Komisioni i Garave janë miratuan, ne mendojmë se ky sugjerim i klubeve do të miratohet edhe këtë radhë”.

Nëse do të llogarisnim që fustbollistët kosovarë dhe ata që vijnë nga Maqedonia nuk konsiderohen si të huaj, me ndryshimin e ri, nuk është çudi që klubet e Superligës në kampionatin e ardhshëm të hedhin në fushë një ekip me asnjë futbollist të prodhuar në Shqipëri. Për të kuptuar se sa shumë e gabuar është ky vendim që pritet të merret, mjafton të përmendim faktin se në Italinë fqinjë, ku talented e huaja dhe lojtarë e mëdhenj të huaj janë pafund është vendosur që mos të ketë më shumë se 4 lojtarë të huaj në stol. Edhe pse për këtë kampionat cilësohet si të huaj apo ekstrakomunitar vetëm lojtarët që kanë një pasaportë të një vendi që nuk është në Bashkimin Europian.Marrja e një vendimi të tillë, pa asnjë dyshim që është një hap pas për futbollin shqiptar dhe talentet shqiptare që rriten më dëshirën dhe pasionin për të luajtur futboll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë