Nga Gazeta 'Si'-Pak ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, mbetet akoma e dyshimtë nëse lumi i Senës është i sigurt për të notuar. Mirëpo, Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka njoftuar se më 17 korrik do të zhytet në lumë për të demonstruar sigurinë e ujërave.
Qëllimi është t'u dëshmohet parizienëve se investimi i madh për pastrimin e Senës, që arrin në 1.4 miliardë euro, ia ka vlejtur.
Momentalisht, cilësia e ujit varet drejtpërdrejtë nga reshjet. Testet e kryera në lumë në qershor treguan nivele shumë të larta të baktereve Escherichia Coli dhe Enterococci, sidomos pas reshjeve. Kjo është për shkak se sistemi i kanalizimeve shekullore të Parisit nuk është gjithmonë në gjendje të mbajë ujërat e zeza që shpesh derdhen në lumë. Moti i favorshëm i ditëve të fundit ka përmirësuar situatën.
Sena do të ketë një rol qendror në Lojërat Olimpike të këtij viti. Përveç ceremonisë së hapjes, në lumë do të zhvillohen garat e notit. Nëse lumi nuk konsiderohet i sigurt, konkursi i notit do të zhvendoset në Vaire-sur-Marne.
Të gjithë qytetarët do të përfitojnë nga pastrimi i Senës.
Kryebashkiakja Hidalgo ka njoftuar edhe krijimin e tri zonave për të bërë plazh përgjatë lumit, deri në vitin 2025. Ujërat e Senës ishin shpallur të papërshtatshme për not në vitin 1923 dhe që atëherë të gjitha përpjekjet për të pastruar dhe rregulluar ndotjen, kanë dështuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.