Ngjarje

Lojërat e fatit u mbyllën, por bixhozi online nuk ndalet

Prej pesë muajsh, Policia e Shtetit vazhdon me ritme të ethshme kontrollet për sa u përket lojërave të fatit dhe vënies në dispozicion të lokaleve për këtë qëllim. Duke e konsideruar që në nisje një aksion mbarëkombëtar, policia po përpiqet të ndëshkojë këdo që tenton të vijojë bixhozin veçanërisht përmes basteve. Një burimi policor tha për Gazeta Si se janë me mijëra objektet e kontrolluara tashmë të fokusuara tek organizimi i lotarive sportive përmes aplikacioneve dhe platformave në kompjuterë, tablet apo smartfonë. Më të fundit janë Andi Murati 22 vjeç dhe Alberto Dyrmishi 39 vjeç që janë kapur nga komisariati i Kombinatit në rrugën “Aleksandri i Madh”.

Emrat e tyre iu referuan prokurorisë për dyshimet se përmes telefonit, pra aparateve celularë ata vendosnin baste online, një shërbim që dyshohet se e ofronin edhe për qytetarë të tjerë, duke aksesuar përmes llogarive që persona të tjerë ju kanë krijuar në mënyrë elektronike jashtë vendit. Dhe ky është trendi më i ri, ndaj edhe policia si dikur në kohën e para 1990-ës që penetronte te bixhozxhinjtë përmes spiunëve, lutet që të ketë besimin e publikut dhe të telefonohet nga numri 112 dhe komisariati dixhital për të luftuar këtë fenomen.  

Kthim në kohë… para 1990…

Në kohën e diktaturës të luaje bizhoz ishte kundërvajtje penale dhe për këtë gjykata të dënonte duke nisur nga gjobë deri në dy vjet burgim. Në vitin 1977 luajtja e bixhozit u fut në legjislacion për shkak të një fenomeni që po vlerësohej se ishte në rritje, veçanërisht nëpër ndërmarrje dhe kombinate. Neni 236, tregon një ekspert i Kodit Penal, nënvizonte se luajtja e bixhozit dënohej nga gjobë deri në 1 mijë lekë, ose riedukim nëpërmjet punës socialiste ose heqje lirie deri në dy vjet. Por përveç këtyre parashikimeve siç kujton ish-prokurori, personi që kapej në flagrancë duke luajtur bixhoz ekspozohej gjithashtu para kolektivit, ndaj edhe bixhozi luhej në fshehtësi të plotë mes shokësh të ngushtë. Ka pasur jo pak shtetas që janë arrestuar në flagrancë dhe autoritetet e diktaturës futën në atë kohë figurën e bashkëpunëtorit të fshehtë, i cili tregonte ku po luhej bixhoz që edhe policia t’i kapte në flagrancë. Lojërat kryesore të bixhozit ishin shahu, letrat, xingu dhe loja 500 apo loja me pllakator. Pavarësisht ndërhyrjeve dhe arrestimeve, mjeshtrat dhe ata që e kishin ves ishte e vështirë të zbuloheshin pasi bixhozxhinjtë, kryesisht intelektualë dhe zyrtarë ndërmarrjesh përpara se të uleshin për të luajtur kishin një kod, besimin te njëri-tjetri. Megjithatë, bixhozi dhe lotaritë e diktaturës nuk ishin asnjëherë të tilla që të sillnin pasoja sociale sikurse divorci apo lënia peng e shtëpisë. Ajo që mund të humbiste një bixhozxhi atëherë ishte rroga e një muaji që sërish nuk ishte pak.

Sot... 2019 dhe në vijim..

Shumë larg luajtjes në shuma të vogla, tashmë në rrugë elektronike, bixhozi ka avancuar duke fituar terren te të gjitha moshat, që nga adoleshentët deri te pensionistët. Madje, në çdo lagje u kthye në stil jetese prezenca e pikave të basteve, duke shënuar një plagë tjetër të shoqërisë sonë. Në këto kushte në vitin 2013 vendi u përfshi në një megaoperacion për lojërat e fatit, i cili u pagëzua “Fundi i Marrëzisë”. Me gjithë bujën dhe makinetat që bllokoheshin për t’u dërguar në pikën e bllokimit në Lundër, marrëzia realisht nuk kishte marrë fund. Disa vetëvrasje ndodhën për shkak të lojërave të fatit, më e rënda ajo e një biznesmeni të falimentuar, i cili u vetëvar në afërsi të ish-ekspozitës, duke i lënë edhe një letër lamtumire familjes së tij e duke i bërë me dije për borxhet që u kishte lënë nga bixhozi. Në vjeshtë autoritetet u zgjuan dhe njoftuan reagimin e parë, atë të “moratoriumit” të pikave të basteve. Ligji la afat datën 31 dhjetor 2018 dhe pa mbërritur ende kjo ditë, qendra kombëtare e biznesit deklaroi se kishin ulur qepenin 4140 pika bastesh. Në datën 1 janar nga hyrja në fuqi e ligjit, çdo ditë policia referon në rang vendi materiale për lokalet që përdoren në mënyrë të paligjshme dhe të fshehtë për lojërat e fatit. Sidoqoftë, fillimi i vitit i gjeti pikat e basteve të boshatisura nga televizorët ku ndiqeshin ndeshjet apo çdo mjet tjetër që përdorej për baste. Nga vëzhgimi i Gazeta Si, pesë muaj më vonë u vu re se disa prej këtyre bar-kafeneve që përdoreshin si qendra pika bastesh, janë kthyer në mënyrë përfundimtare në lokale lagjesh, disa në qendra kursesh autoshkollash apo të tjera që ende lexojnë mbi qepen “jepet me qira”.

Por...

Por, përtej sipërfaqes nuk mund të thuhet me garanci se bixhozi dhe lojërat e fatit janë ndalur. Do të ishte një gënjeshtër e madhe, pavarësisht dëshirës. Jo vetëm sepse siç thotë shprehja “vesi del me shpirtin”, por edhe sepse lojtarët e mëdhenj të basteve ndërkohë kanë gjetur mundësi të reja. Një ndër to është ajo e basteve online. Siç tregon njëri prej tyre për Gazeta Si, bastet bëhen përmes websiteve jashtë vendit. Njëkohësisht, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka kërkuar mbikëqyrjen e këtyre faqeve, ndërsa i është kërkuar edhe AKEP për mbylljen e tyre. Pesë muaj larg nga embargo ndaj bixhozit, në fillimit të muajit maj drafti më i ri i qeverisë synon të bëjë gjithçka për të mbyllur njëherë e mirë kapitullin e basteve. Aty parashikohen sanksione të ashpra. Në nenin 197 parashikohet se organizimi i lojërave të fatit, lotarive apo bixhozit në kundërshtim me ligjin dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Nëse në lojë angazhohen fëmijë nën 18 vjeç, organizatorët dënohen nga 2 deri në pesë vjet burgim. Madje, nëse në bixhoz përfshihen duke shfrytëzuar detyrën edhe punonjësit shtetërorë, burgimi shtohet me një të katërtën. Çdo pjesëmarrës në lojëra të fatit  propozohet të dënohet me gjobë deri në një vit burgim thuhet në draft.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë