Pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri të Kosovës raportohet të jetë më e qetë të dielën, edhe pse nga ana tjetër e kufirit, Serbia po provokon duke dërguar një sërë mjetësh ushtarake, duke filluar nga tanket, helikopterët dhe makinat e blinduara.
Medit në Kosovë thotë se në orët e mëngjesit të ditës së diel janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovës. Ndërkohë të shtunën në mbrëmje, mediat serbe raportuan ‘live’ nisjen e disa tankeve drejt kufirit të Jarinjës. Ato kanë publikuar video të tankeve madje, disa prej televizioneve kanë ndërprerë programacionin duke transmetuar këto imazhe.
Në kufirin shqiptar ndërkohë janë vendosur vetëm oficerë të armatisur Policisë së Kosovës dhe disa anëtarë të KFOR-it, të cilët po monitorojnë situatën me helikopterë.
Dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të bllokuara për të shtatën ditë me radhazi. Qeveria e Aleksandër Vuçiçit ka dërguar gjatë 48 orëve të fundit edhe helikopterë ushtarakë dhe helipterë bombardues të blerë nga Rusia, për të patrulluar pikën kufitare të Jarinjës.
Vendimi vjen pasi NATO ka bërë thirrje për qetësi nga të dyja palët, dkuke thënë se situata ëshët tejet e tensionuar dhe mund të përshkallëzohet shpejt.
Duke komentuar incidentin e fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hetimet tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe ajo e Regjistrimit Civil në Zveçan, nuk ishin aksidentale, por e qëllimshme.
Albin Kurti ka akuzuar Serbinë se me veprime të tilla, po provokon konflikt serioz ndërkombëtar.
“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të përeskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës ku u diskutua situata në veri dhe koordinimi i hapave të mëtejmë. Kurti ka thënë se derisa rreziku në pikat kufitare të jetë i lartë, njësitë speciale të Policisë së Kosovës do të qendrojë në të dyja pikat kufitare.
Për shkak të zhvillimeve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 25 shtator ndërpreu vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe u nis drejt Kosovës. Presidentja Osmani ka thënë se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




