Politike

Lobimi 6 milionë dollarë në SHBA, Berisha: 100% e bazuar në ligj, nuk ka lidhje me zgjedhjet

Gazeta Si – Për herë të parë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sqaruar kontratën e lobimit të PD me kompaninë e avokatit të presidentit amerikan Donald Trump.

Ai tha se kontrata është 100% e bazuar në ligj dhe se financimet janë siguruar nga një fondacion të krijuar nga patriotë shqiptarë që duan të ndihmojnë PD.

“Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, fare! Ka një nen, neni 21 i ligjit të partive politike. Nen që autorizon partitë politike të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forca të tjera politike, organizata ndërkombëtare partiake politike dhe fondacione. Pra, kontrata është 100 përqind e bazuar në ligj. Lidhur me milionat që numëroni, mos harroni, kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethanë që do ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre, ndërpresin kontratën. Prandaj nuk mund të flasësh për 6 milionë, nuk mund të flasësh as për 100 mijë apo 200 mijë. Kontrata është në varësi sipas kërkesave të palëve, dakordësisë së palëve, objektivave të palëve. Por një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk ka më një kauzë jetime. Në atë vend të madh, ajo kauzë ka një avokat të madh. kjo kontratë me avokatin numër 1, ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktator”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se Partia Demokratike nuk është palë kontraktuese, por ka pranuar shërbimin si mbështetje nga fondacioni i formuar nga “patriotë antikomunistë” që sipas tij shohin tek Edi Rama një rrezik për demokracinë dhe pluralizmin në vend.

Sa i përket fondacionit që ka kontraktuar kompaninë amerikane të lobimit, Berisha tha se bëhet fjalë për një grupim atdhetarësh.

“Ai gjersa ka një shërbim të ofruar PD i del zot asaj, nuk ka diskutim, sepse është një fondacion atdhetarësh, patriotësh, që e duan shumë këtë vend, antikomunistësh, të cilët shohin tek Edi Rama një shkatërrimtar të vërtetë të kombit dhe kanë krijuar një fondacion për të ndihmuar PD. Ata atë kontratë nuk e kanë firmosur për të ndihmuar veten, për të ndihmuar ata, aq sa çdo shqiptar është fjala. Këtu nuk ka asnjë lloj kontradikte”, tha Berisha.

Kredemokrati sqaroi se Chris LaCivita nuk ka lidhje me këtë gjë. Ai theksoi se LaCivita është kontraktuar për të qenë konsulent për zgjedhjet, ndërsa kompania tjetër do të jetë avokati i kauzave të Partisë Demokratike.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Rama duke kujtuar lobimet e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Chris LaCivita është i kontraktuar konsulent për zgjedhjet dhe asgjë tjetër se ligjet janë të ndryshme. Ai “Continental” është i kontraktuar avokati të kauzave të drejta të PD-së. Kurse Chris LaCivita është kontraktuar këshilltar elektoral i Partisë Demokratike. Nuk lejohet që të bëjnë aktivitete që nuk parashikohen në kontratë. Kjo kontratë është afishuar në entin federativ amerikan. Lexojeni dhe shikojeni çfarë thotë. Është shumë transparente. Nuk është historia e McGonigal këtu që i jepen paret në garazh. Nuk është historia e Bilalit që martohet me Bilalin se duhet të ishte çift. Bëhej gruaja e Bilalit ky që të futej në darkë me Obamën pasi aty pëlqehej se çiftet duhej të ishin burra. Nuk ke gjëra të tilla. Ke gjëra të deklaruara në mënyrë transparente, janë patriotë shqiptarë që kanë krijuar një fondacion që duhet që PD të ketë një marrëdhënie të shkëlqyer me SHBA dhe Shqipëria duhet të ketë një marrëdhënie shumë të mirë. Natyrisht nënkuptoj se u ka djegur shumë disave”, tha Berisha.

Çfarë është kontrata e lobimit të PD?

Partia Demokratike reagoi më 26 prill duke u shpreh se ka nënshkruar një kontratë lobimi me vlerë prej 6 milionë Dollarësh për dy vjet me një kompani në Uashington DC. Kontrata është firmosur më 4 Prill nga Sekretari i Përgjithshëm i selisë blu, Flamur Noka.

PD sqaroi në një njoftim për mediat se, është komuniteti shqiptaro-amerikan që përmes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike si forca më e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA.

Synimi i bashkatdhetarëve në SHBA, thuhet në sqarimin zyrtar të PD-së, është bashkëpunimi i PD me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e të drejtës në Shqipëri.

Sipas PD, Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë