Kryeministri Edi Rama si për të çuar deri në fund vullnetin e tij se gjeneral Sandër Lleshaj është ministër si të gjithë anëtarët e tjerë të kabinetit, ka hequr foton e ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe ka postuar foton e gjeneralit në faqen zyrtare të Qeverisë, duke e rreshtuar në krah të ministrave të qeverisë, por titullin duke i lënë titullin zv.ministër i Brendshëm.
Sot pas vendimit të Parlamentit dhe vendimit të Qeverisë, pritej që Lleshaj, si ministër i komanduar të mbronte në Kuvend buxhetin e vitit 2019, por këtë detyrë e mori përsipër zv.ministri tjetër, Julian Hodaj.

Caktimi si “ministër i komanduar” apo “ministër në detyrë”, një term që përdoret për herë për një Qeveri, duket si një zgjidhje e sforcuar për faktin se Lleshaj do të ushtrojë kompetencat e tij të kufizuara, jo si titullar i plotfuqishëm.
Ai mund të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë, por nuk do të ketë drejtën e votës për çështje të ndryshme që do të diskutohen me ministrat dhe kryeministrin. Këtë ia ndalon neni 13 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, i cili përcakton në pikën 4 se “Kur, për shkaqe të arsyeshme, ministri nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, atëherë i duhet të njoftojë paraprakisht Kryeministrin dhe në vend të tij, me miratimin e këtij fundit, merr pjesë, pa të drejtë vote, zëvendësministri”.

Për problematika dhe për çështje që nevojitet vota e titullarit të Ministrisë së Brendshëm, Lleshaj nuk mund të votojë, pasi këtë nuk ia lejon ligji.
Ndërsa pika 6 e këtij neni përcakton se “ministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim, të Kryeministrit. Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohet edhe detyra të tjera”.
Kodi i Procedurës ka përcaktuar se “Në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të ndonjë pengese ligjore që haset një organi administrativ individual, kryerja e detyrave bëhet nga organi ose personi zëvendësues i përcaktuar me ligj. Kur ligji nuk shprehet, zëvendësimi në kryerjen e detyrave do të bëhet nga punonjësi më i vjetër i organit, që vjen direkt pas tij në shkallën e hierarkisë. Në ushtrimin e funksioneve të zëvendësuesit futen edhe kompetencat e deleguara të të zëvendësuarit”.
Për delegim kompetencash zëvendësministrit, si praktikë duhet të bëhen me një vendim të posaçëm nga ministri, i cili duhet të botohet në Fletoren Zyrtare. “Delegimi i kompetencave botohet në Fletoren Zyrtare ose në buletinet e njoftimeve publike. Në rastet e organeve të qeverisjes vendore, delegimi botohet në gazetën e njësisë së qeverisjes vendore apo në buletinet zyrtare të akteve të njësive të qeverisjes vendore dhe, kur nuk ekziston një i tillë, njoftimi përkatës afishohet në vende publike”, thuhet në pikën 3 të nenit 29 të Kodit të Procedurave Administrative. Pra edhe në këtë rast duhet të kishte një ministër që t’ia delegonte “plotfuqishmërinë” për të vepruar si ministër, duke përcaktuar mbi të gjitha edhe afatet kohore e ushtrimit të kësaj detyre.

Kjo gjë e tillë nuk ndodh me Lleshajn, pasi ministri Xhafaj përpara se të largohej nuk ka lënë ndonjë vendim të tillë.
Ndërkohë që zv.ministri Lleshaj mund të hasë probleme për sa i përket zbatimit të ligjit “Policinë e Shtetit”. Drejtori aktual i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu duhet të ndjehet i qetë pas Lleshaj nuk mund ta kërcënojëme largim, pasi në bazë të nenit 15 të ligjit, shkarkimi apo emërimi bëhet vetëm si propozim i ministrit dhe me vendim të kryeministrit. Ai nuk detyrohet t’i raportojë, pasi në bazë të ligjit i raporton vetëm ministrit.
Gjithashtu komod në detyrën e tyre mund të jenë edhe zv.drejtorët e Policisë, pasi neni 14 i ligjit përcakton se “Ministri emëron Zëvendësdrejtor të Policisë së Shtetit, me propozim të Drejtorit të Policisë së Shtetit, një nga punonjësit e policisë që mban gradën “Drejtues i Parë””.
Gjithashtu ministri ka si detyrë të emërojë dhe të shkarkojë drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Jashtë funksionit mund të mbesë edhe Komiteti Kombëtar Koordinues për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, strukturë që drejtohet nga ministri.
Të gjitha këto kompetenca nuk mund të ushtrohen nga ana e Lleshajt, pasi ai është zëvendësministër. Mos ushtrimi i këtyre detyrave të rëndësishme e bën një “ministër” pa vulë.
Në lidhje me çështjen e kompetencave që mund të ushtrojë Lleshaj si zëvendësministër, ka pasur edhe një reagim nga ana e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani.
Sipas tij, Lleshaj e ka të pamundur të ushtrojë detyrën pa ia deleguar ministri në detyrë, që mungon në këtë rast.
“Pyetja që shtrohet është a mund të caktohet Zëvendësministri Sandër Lleshaj të bëjë detyrën e Ministrit? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhen mbajtur në konsideratë tre ligje kryesore: Kushtetuta e Republikës, Ligji Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave dhe Kodi i Procedurave Administrative. Këto janë ligjet kryesore, përveç të tjerave si p.sh Ligji për Policinë e Shtetit. Më konkretisht, sipas nenit 106 të Kushtetutës, Fatmir Xhafaj është ende ministër, deri sa të betohet ministri i ri. Pra edhe pas miratimit të dekretit të shkarkimit të tij nga Kuvendi, Ai duhet të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë Ministri i ri, jo zëvendësministri i ri. Ky është detyrimi që buron nga Kushtetuta dhe nga interpretimi që Gjykata Kushtetuese ka bërë në vendimin e saj nr. 6 të shkurtit 2002. Çështja shtrohet, çfarë ndodh nëse Ministri Xhafaj nuk e ushtron detyrën e ministrit de fakto? Në këtë rast, veprohet njësoj si me çdo ministër tjetër kur gjendet në kushtet e pamundësisë reale për të kryer detyrën. Neni 6 i Ligjit për Këshillin e Ministrave në relacion me nenin 34 të Kodit të Procedurave Administrative sqarojnë se po, një zëvendësministër mund të kryejë përkohësisht detyrën e ministrit kur ky i fundit është i pamundur për ta kryer vetë. Por përkohësisht ama! “, shkruan Manjani.

Më tej ai thekson se “që kjo të ndodhë duhet që ministri të autorizojë me shkrim zëvendësministrin konkret (kujtojmë se ministria e brendshme ka 5 të tillë) që ta kryejë këtë detyrë. Askush tjetër nuk mund te delegojë një detyrë që nuk e ka! As Kryeministri e as qeveria nuk mandaton dot një zëvendësministër të bëhet ministër! Nga ana tjetër ka disa detyra që nuk mund t’i kryejë zëvendësministri as me autorizim. Zv/Ministri nuk mund të votojë në qeveri ashtu siç nuk mund të ulet në podiumin e ministrit në Kuvend! Sepse për t’u ulur aty, duhet të jesh emëruar ministër sipas procedurës kushtetuese: Kryeministër-President-Kuvend. Ndaj nuk ka kuptim ideja që ministrin “e bëjmë vetë” si zëvendësministër. Më në fund, nuk ka kuptim që një person që nuk kalon filtrin kushtetues për t’u bërë ministër, të kryejë detyrën e ministrit. Por kjo e fundit është moral”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.