Motosport

Ljuis Hemilton arrin kuotën 300 gara në Francë: Nuk e dija!

Gazeta Si – Ka kaluar aq shumë ‘gurë kilometrikë’, sa për Ljuis Hemilton nuk bëjnë më përshtypje të madhe. E ka të vështirë t’i kujtojë të gjithë, ndaj dhe kur i kanë bërë me dije se gara e Castellet është e 300-ta në karrierë për të, anglezi u përgjigj: “Nuk e dija”.

Hemilton është piloti i 6-të që arrin në këtë kuotë. Raikonen ka 350 gara, Alonso 345 (kjo është e 346-a), Barrikelo 323, Shumaker 307 dhe Baton 306.

Ljuis Hemilton feston një fitore në Brazil. Gazeta Si, 22 korrik 2022

Nga sytë, sipër maskës, është dalluar buzëqeshja e pilotit anglez. “Nuk përbën ndonjë ndryshim të madh”, – shtoi ai. Pastaj u mendua pak dhe i pyetur se çfarë do t’i thoshte vetes si debutues në Formula 1 në Melburn, në 2007-ën, tha:

“Nuk e di vërtet. Do t’i thosha të argëtohet, të shfrytëzojë kohën, që është shumë e çmuar. Kur je i ri mendon se do të jetosh pafundësisht. Do t’i thosha të shijojë jetën me familjen dhe të mos stresohet shumë”.

Kur i kanë kërkuar të zgjedhë garën më për zemër të tij në këto 300, ai u përgjigj: “Fitorja e parë”. Pra, Montreal 2007. “Sepse fitorja e parë është ndjenja e të kuptuarit se vërtet mund të arrish një objektiv në jetë”, – shton anglezi.

Dhe kundërshtari ishte njëri që sot ishte aty pranë: “Isha shumë i ri, vetëm 22 vjeç. “Të garoja me Fernando Alonson kishte shumë presion”.

Në të 15 kampionatet e mëparshme, përfshirë edhe atë të debutimit në 2007-ën, në këtë pikë të sezonit Hemilton kishte fituar të paktën një garë. Është piloti i vetëm që ka fituar gjithmonë të paktën një garë në gjithë vitet e karrierës.

Përveç këtij viti: “Nuk më bezdis shumë ky fakt, sepse vazhdoj të punoj për të fituar, me gjithë skuadrën. Nuk jemi dorëzuar. Nuk është sezonin që shpresonim. Uroj të shkojmë në nivelin që meritojmë. Kur të jemi aty, do ta vlerësoj akoma më shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë