Gazeta Si – Një blerje rekord. Liverpuli ka fituar garën për Moises Kaisedo, duke bërë një ofertë prej 127 milionë eurosh për Brajtonin dhe ky është një rekord i ri për futbollin anglez. ‘Të kuqtë’ kishin nevojë për një mesfushor dhe lëvizën me shpejtësi për të marrë 21-vjeçarin, me të cilin ishte dashuruar edhe Çelsi.
Liverpuli e fitoi ankandin me këtë ofertë të bujshme, që ka lumturuar Brajtonin. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop e bindi Kaisedon, që donte shumë të largohej dhe për këtë kishte lënë javën e fundit të stërvitjes.

Kaisedo për Liverpulin ishte një lojtar i nevojshëm. Mesfusha ishte reparti që duhej rinovuar më shumë pas dështimit të sezonit të kaluar. Në qershor u afruan Mek Alister dhe Szoboszlai, por Klop humbi Henderson dhe Fabinjo, të cilët u transferuan në Arabi. Ndeshjet para sezonit treguan se Liverpuli kishte vështirësi dhe drejtuesit lëvizën me shpejtësi.
Dhe për të fituar konkurrencën me Çelsin, klubi i kuq shkoi përtej çdo oferte që ishte bërë më parë nga skuadrat angleze, përtej 121 milionë eurove që Çelsi shpenzoi në janar për të marrë Enco Fernandez nga Benfika.
Brajtoni ka marrë më shumë nga sa pretendonte për të shitur një lojtar, që në janar e kishte mbajtur me çdo kusht, pavarësisht ofertës së Arsenalit. Lojtari dëshironte më shumë Çelsin, që nuk iu afrua 116 milionë eurove të kërkuara nga Brajtoni.
Me afrimin e kampionatit, Kaisedo la stërvitjen, pasi kërkonte shitjen dhe Liverpuli kuptoi se ekuadoriani ishte lojtari i duhur. Prandaj shpenzoi jo pak, por 127 milionë euro, një rekrod për Premier Ligën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




