Janë luajtur tetë ndeshjet e kësaj mbrëmje të parë të raundit të katërt në fazën e grupeve të Champions League. Mund të quhet e marta e rezultateve befasuese dhe e barazimeve, pasi është mposhtur Liverpul dhe Monako nga Cervena Zvezda dhe Klub Bryzh, ndërsa dy sfidat më të rëndësishme në Milano dhe Napoli janë mbyllur në barazim 1-1.
Në “Marakananë” e Beogradit ka ndodhur surpriza e parë dhe më e madhe e kësaj mbrëmje të Ligës së Kampionëve. Vendasit e Cervena Zvezda kanë mposhtur pastër me rezultatin 2-0. Liverpuli i madh i Jurgen Kolp me yjet e futbollit botëror nuk e kishte imagjinuar dot se do të mposhtej nga një ekip, i cili në total vlen 43 milionë euro, aq sa vlen vetëm një nga mbrojtësit e skuadrës së Klop.
Një stadium i tejmushur dhe elektrizues, duket sikur trembi lojtarët e Liverpul që në minutat e para nuk arrijnë të marrin kontrollin e lojës. Vendasit nga ana tjetër me publikun në krahë janë më të guximshëm dhe i shkojnë disa herë portës së Alison Beiker. Pas disa aksioneve të rrezikshme, në minutën e 22’ serbët do të shkaktonin “tërmetin” e parë. Gjermani Marko Marin kërcen fort mbi të gjithë mbrojtësit e “kuq” dhe kalon në avantazh skuadre serbe. Liverpul shokohet nga ky gol dhe për disa minuta e humbi toruan. Nga kjo gjendje e anglezëve përfitojnë vendasit që vetëm 7 minuta më vonë do të gjenin golin e dytë. Këtë herë është Pakov që shtang portierin brazilian duke shënuar një supergol dhe çon në delir të gjithë tifozët në stadiumin “Rajko Mitic”.
Pas këtyre dy golave të shpejt, skuadra e Klop mundohet të bëjë diçka për të ndryshuar fatin e kësaj sfide, por serbët tërhiqen në mbrojtje dhe nuk bëjnë gabime. Edhe në pjesën e dytë vijon e njëjta histori me Liverpul që kujtohet të luaj dhe Cervena Zvezda që mbrohet mirë. Pavarësisht tentativave shifrat nuk ndryshuan deri në fund dhe skuadra nga Beogradi bëri surprizën e parë të madhe në këtë raund të katërt të Champions League, duke mposhtur favoritët e grupit.
Por pasditja e kësaj të marte Championsi ishte e mbushur me surpriza, teksa edhe Monako është mposhtur në shtëpi thellë 0-4 nga Klub Bruzh. Skuadra nga Principata është shpërfytyruar në këtë sfidë me belgët, duke mos treguar asgjë nga ekipi që vitin e shkuar pretendoi për të shkuar larg dhe rivalizonte për të fituar kampionatin francez.
Inter dhe Barcelona barazim me shije kualifikimi
Sakaq në mbrëmje, kur kanë zbritur ekipet më të mëdha dhe janë zhvilluar përballjet më të forta spektakli ishte prezent në të gjitha takimet edhe pse jo më shumë gola. Kryesfida e mbrëmjes, mes Inter dhe Barcelonës është mbyllur në barazim 1-1. Rezultati ndoshta nuk është më i miri i mundshmi për zikaltërit, por duhet të gëzohen pasi tashmë shanset për të kaluar grupin janë shumë të mëdha, duke parë edhe rezultatin e ndeshjes tjetër që u luajt në Londër, mes Totenham dhe PSV.
Në pjesën e parë Barcelona është më imponuese në lojë dhe e detyron Inter që të jetë më i tërhequr në prapavijë. Skuadra e Spaletit tenton të rrezikojë me disa topa të gjatë në zonë, duke tentuar të shfrytëzojë fizikun e Ikardit, por pa sukses. Nga ana tjetër, Barcelona si zakonisht, pa Mesin në fushë tenton vazhdimisht vertikalizimet drejt Suarez, por as këto nuk japin rezultat. Në pjesën e dytë ekipet luajnë më hapur dhe efekti ndihet menjëherë. Të dyja ekipet i shkojnë më shpesh golit, por herë për mungesë konkretizimi dhe herë të tjera për hir të portierit goli nuk vjen në asnjërën prej portave.
Do duhej të vinte minuta e 83’ që të shihnim golin e parë të ndeshjes. Është braziliani Malkom që ccon në avantazh Bracelonën, duke krijuar idenë e një fitoreje të dytë përballë zikaltërve. Por inter ka në përbërjen e tij një sulmues si Ikardi, që në rastin e parë që i jepet mundësia shënon. Argjentinasi çon në baraspeshë ndeshjen në minutën e 87’. Mbyllet kështu në barazim kjo sfidë e dytë mes këtyre dy ekipeve, që me shumë mundësi do të jenë ato që avancojnë në fazën tjetër të këtij kompeticioni.
Të dyja ekipet e shikojnë veten të favorizuara për të kaluar më tej, pasi Totenham edhe pse fitoi me PSV sërish mbetet 3 pikë më pak se Inter që pret në shtëpi PSV dhe një fitore i siguron kalimin më tej pa asnjë problem.
Paqe në Sao Paolo
Në barazim është mbyllur edhe sfida tjetër mes Napolit dhe PSG në “Sao Paolo”. Ashtu si edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Paris të dyja ekipet tentuan të dalin me tre pikë nga kjo përballje, por do duhet të kënaqen me nga një pikë dhe të fillojnë me llogaritë për kalimin e grupit, pas rezultatit surprizë që prodhoi ndeshja në Beograd.
Atletiko hakmerret dhe pret biletën për më tej
Atletiko Madrid është hakmarrë ndaj Borusia Dortmund, duke triumfuar 2-0. Skuadra e Simeone i ka kthyer reston gjermanëve pas atij turpërimi para dy javësh dhe tashmë mund të thuhet se e kanë prerë biletën për në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Një gol i Saul në pjesën e parë dhe më pas Grizman në të dytën, vulosën gjithçka për spanjollët, me Dortmund që dukej sikur u pajtua shumë shpejt më këtë rezultat.
Pa shumë histori kanë qenë dy përballjet e tjera të kësaj mbrëmje. Porto ka fituar 4-1 me Lokomotivën e Moskës, ndërsa Shalke ka mposhtur 2-0 Gallatasaraj.
Tabela e rezultateve të ndeshjeve të kësaj mbrëmje:
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.