Liverpuli vijon dominimin e tij në futbollin europian, duke mposhtur Çelsin në finale e Superkupës së Europës. Në finalen e madhe të Stambollit, futbolli europian ka bërë një nga startet më spektakolarë të viteve te fundit. Gola, grintë, kartona, minuta shtesë, penallti, nuk mungoi asgjë në këtë finale që ia vlen të konsiderohet si kurora e sezonit futbollistik 2018-19.

Ndeshja nuk filloi sipas pritshmërive. Çelsi i dërrmuar në javën e fundit në Premier Ligë nga Junajtid kishte zbritur në fushën e lojës me misionin që të bënte maksimumin në këtë ndeshje. Oliver Zhirud ishte i pari që vendosi firmën në këtë ndeshje me një super gol. Francezi nuk kishte se si ta gabonte asistin e kroato-amerikanit, Pulisiç. Liverpuli i përgjumur deri në këto momente, duket se goli i pësuar shërbeu për tu shkundur dhe të kujtohej se kishte një finale Superkupe për të fituar.

Në fraksionin e dytë të lojës ekipi i Klop do të dilte në fushë me një tjetër fytyrë. Mane, Çamberlein dhe Salah filluan të jenë më të lëvizshëm përpara dhe po shkaktonin më shumë probleme në zonën e Çelsit. Nuk kaloi shumë nga starti i pjesës së dytë dhe Mane e çoi topin në rrjetë duke barazpeshuar rezultatin.

Pasi nuk pati fitues për 90 minuta, loja shkoi drejt shtesës. Aty Liverpuli ishte më lartë fizikisht dhe do e gjente golin e avantazhit sërish me anë të afrikanit, Mane. Ylli i “the reds” shënoi një gol ‘alla Ronaldo’, me një gjuajte të fortë që nuk i dha asnjë shans portierit Kepa. U duk sikur Liverpuli e mori në shtëpi shumë lehtë këtë kupë, por Çelsi nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte sërish me anë të Jorxhinjos, i cili nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
2-2 dhe fituesin e kësaj Superkupe do duhej ta zgjidhnin gjuajtjet e penalltive. Në këtë pikë deçizive të finales ata që u treguan më të saktë ishin kampionët e Europës, duke u rikonfirmuar kështu si pretendentët kryesorë për ta marrë sërish në shtëpi “kupën veshgjatë”. Çelsi i Lampard nga ana tjetër ka një rrugë shumë të gjatë përpara edhe pse në ndeshjen e kësaj të enjte tregoi karakter dhe shenja të mira në nivel loje dhe grinte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




