Futboll

Liverpool përjetëson Diogo Jota-n

Nga Gazeta Si – Klubi anglez vendosi të heqë nga qarkullimi numrin 20 që mbante në fanellën e tij, portugezi i ndjerë që humbi jetën një ditë më parë në një aksident automobilistik pranë Zamora-s në Spanjë. Diogo Jota po udhëtonte bashkë me vëllain e tij (Andre Silva) drejt qytetit të Santander-it, kur goma e makinës Lamborghini e tradhëtoi në udhëtimin e fundit të jetës së shkurtër. Mjekët i kishin ndaluar atij udhëtimin me avion pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri.

Makina Lamborghini, para dhe pas aksidentit që ju mori jetën dy vëllezërve

Për këtë arësye ai do të merrte tragetin drejt Anglisë ku do të bashkohej me skuadrën për periudhën përgatitore në prag të sezonit të ri. Bashkim që fatkeqësisht nuk do të ndodhë fizikisht, por do të përjetësohet shpirtërisht. Liverpool vendosi që në nder të portugezit, numri 20 të mos mbahet nga asnjë lojtar i “The Reds”, tani e tutje. Ndërkohë turneu më i vjetër i tenisit që zhvillohet në Wimbledon do të thyejë traditën 148 vjeçare (prej vitit 1877) të veshjes në të bardha. Organizatorët do të lejojnë tenistët të mbajnë një shirit të zi në nderim të kujtimit të Diogo Jota-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë