Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manstirliu, së bashku me ekspertë të Komitetit të Ekspertëve, ka njoftuar se do të shtohen masat për frenimin e Covid-19. Ora policore duke nisur nga data 24 dhjetor, do të nisë në orën 20:30 deri në orën 6 të mëngjesit, deri në datën 4 janar.
Manastirliu shpjegoi se duke marrë në konsideratë rekomandimet e Komitetit Teknik, për të kufizuar më tej riskun e përhapjes së infeksionit si dhe riskut të lartë të shkaktuar nga varianti i ri i Sars Cov2, është vendosur:
“Pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe, duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, date 22 Dhjetor, deri në datë 06 Janar. Po ashtu vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera.
Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14 ditor vjen si një masë paraprake, për të shmangur këtë infeksion apo mutacion të ri të Sars-Covi2.
Pas analizës së situatës nga Komiteti i Ekspertëve përsa i përket të dhënave epidemiologjike në përfundim të javës së 51 të epidemisë, nga vlerësimi i kryer mbi baza dinamike në dy javët e fundit rezulton një incidence, raste të reja për 100 mijë banorë 359 raste për 100 mijë banorë. Vlerësohet në 4 javët e fundit që situata ka paraqitur një qëndrueshmëri lidhur me rastet pozitive të infektuara për 100 mijë banorë dhe përqindjen e pozitivitetit të rasteve.
Nga ana tjetër vlerësohet se përqindja e shtretërve të zënë në spitalet Covid në këtë javë, në dy javët e fundit është 63.7% dhe përqindja e shtretërve të zënë në reanimacione në spitalet Covid është 25.3%”, tha Manastirliu.
“Pra ashtu sikurse e përmendëm, ekspertët vlerësojnë se situata deri sot paraqet qëndrueshmëri, duke vlerësuar kështu edhe impaktin e masave të marra deri tani, të reflektuara sigurisht në këtë situatë. Por kjo situatë ka ende nevojë të vlerësohet në mënyrë dinamike, pasi zbatimi i masave nga të gjithë mbetet thelbësor në kufizimin e përhapjes së këtij virusi.
Puna në terren nga të gjitha strukturat e shëndetësisë po vijon”, vijoi ministrja.
Sipas saj, nga sot ka nisur testimi i shpejtë i cili është shtrirë dhe në 6 pika të qendrave shëndetësore në Tiranë, sipas fashave orare 10:00-16:00, si dhe në të gjitha qytetet sipas një kalendari të përcaktuar.
Po ashtu edhe në spitalet rajonale, në shërbimet e urgjencave ka filluar përpos testimit klasik, pra me PCR edhe testi i shpejtë i antigenit për rastet që përfshihen në udhëzimin e Instituti të Shëndetit Publik.
“Duke qenë se kemi hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës kemi marrë disa vendime.
Kemi vendosur:
- Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.
- Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.
- Prej datës 5 Janar kufizimi i levizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim.
- Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery.
- Prej datës 5 Janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00.
- Po ashtu rekomandojmë të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore.
Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”, tha Manastirliu.
Në këtë komunikim ministrja foli gjithashtu edhe për ardhjen e vaksinës në Shqipëri.
Manastirliu theksoi se po punohet për mbërritjen e vaksinës nëpërmjet komunikimeve me Bashkimin Europian dhe prodhuesit e vaksinës.
Ndërkaq Manastirliu konfirmoi edhe pushimet e gjata dimërore për fëmijët.
“Ministria e Arsimit ka vlerësuar hapjen e vitit të ri shkollor më datën 11 janar, ndërkohë që sa i përket çerdheve dhe kopshteve nuk ka një parashikim për kufizimin e datave të hapjes dhe do jetë si vitet e tjera.”, shtoi Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino ka folur për llojin e ri të COVID që është shfaqur ditët e fundit në Britaninë e Madhe. Ajo shtoi se deri më tani nuk paraqiten të dhëna se ky lloj virusi është më i rëndë se i pari, duke shtuar se ka të njëjtën sjellje si virusi bazë.
“Sa i përket virusit të identifikuar nga autoritetet e Britanisë së Madhe dua të them se është identifikuar nga Angli dhe më pak në Wells. Është identifikuar në Danimarkë në Hollandë ka pasur raste. Deri më tani nuk ka të dhëna që ai paraqet doza të rënda të sëmundjes. Nga të dhënat që kanë tani. Bëhet fjalë për 108 persona të cilat i kanë vlerësuar. Deri tani nuk vërehen të dhëna që ky virus të ketë shkaktuar riinfeksione të ketë një sjellje të ndryshme. Ky variant ka të njëjtën sjellje si virusi bazë. Nuk kemi të dhëna. Por ata kanë vendosur një sistem monitorimi në lidhje me irinfeksionet. Këto janë të dhëna që ne duhet ti marrim parasysh në lidhje me çështje te tjera”, tha Bino.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



