Kombetarja

Italia gjen ngushëllim në Tiranë, përmbys kuqezinjtë me 3 gola

Gazeta Si – Miqësorja Shqipëri-Itali pati shumë gola, ashtu siç e dëshironte trajneri Edi Reja, por edhe shumë emocione brenda saj. Me raste të rrezikshme në të dyja portat, shtylla e traversa dhe lojë të shpejtë.

‘Axurrët’ kanë fituar 1-3 në ‘Air Albania’, falë kualiteteve që kanë në përbërje, por edhe keqezinjtë janë përgjigjur mirë në disa momente. Uzuni dhe Bajrami ishin pa fat, pasi traversa u ka mohuar golin në këtë miqësore luksi. Problemet më të mëdha i pati mbrojtja.

Kuqezinjte festojne golin e Ismajlit. Gazeta Si, 16 nentor 2022

Reja e nisi ndeshjen me formacionin që kishte paralajmëruar, me dyshen Broja-Uzuni përpara dhe me Asllanin në stol. Adrian Ismajli shënoi për Shqipërinë në minutën e 16-të, duke entuziazmuar tifozët në stadium, por gëzimi i tyre zgjati shumë pak. Gjithçka u përmbys shumë shpejt me golat e Di Lorencos dhe Grifos.

Xaniolo goditi shtyllën më pas, ndërsa në fundin e pjesës së parë Tonali u largua për shkak dëmtimi dhe në vend të tij u fut Riçi. Fushën e la edhe Broja po për shkak dëmtimi pak pas nisjes së pjesës së dytë. Vendin e tij e mori Roshi. Berishën e shpëtoi traversa nga një gjuajtje e Grifos.

Kuqezinjtë patën disa mundësi të mira më pas. Uzuni u ndal nga traversa, Lenjani nga Bonuçi dhe Roshi nga portieri Meret. Në momentin më të mirë të Shqipërisë, Italia goditi sërish me Grifon dhe 1-3. Traversën për skuadrën tonë e goditi edhe Bajrami, kurse Roshi nuk ia doli sërish të shënonte përballë Meret.

Ismajli pësoi një dëmtim dhe vendin e tij e zuri Ardian Bajrami, ndërkohë që pas minutës së 70-ë u aktivizuan edhe Asllani, Ramadani, Laçi dhe në fund Skuka.

Mançini në anën tjetër bëri lëvizjet e tij, madje futi edhe 16-vjeçarin Pafundi. Italia e tij tregoi superioritetin e saj dhe u largua me fitore nga ‘Air Albania’. Nuk munguan momentet e nervozizmit në këtë ndeshje mes Verratit dhe Bares. Shqipëria deri diku dha sinjale pozitive në aspektin e lojës.

Shqipëri-Itali 1-3

Shënues: Ismajli 16’/ Di Lorenco 20′, Grifo 25

Shqipëria: Berisha, Kumbulla, Mihaj, Ismajli (A.Bajrami), Hysaj, Lenjani, Bare (Laçi), Bajrami (Asllani), Abrashi, Broja (Roshi), Uzuni (Skuka). Trajner: E.Reja.

Italia: Meret, Bonuçi (Pinamonti), Skalvini, Bastoni, Dimarko, Di Lorenco, Verrati (Pafundi), Tonali (Riçi), Grifo (Njonto), Xaniolo (Faxholi), Raspadori (Kieza). Trajner: R.Mançini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë