Edhe Rexhep Selimi u vetëdeklarua i pafajshëm, ndërsa vendosi në pikëpyetje edhe legjitimitetin e Gjykatës Speciale të Kosovës.
“E di që ndoshta nuk është momenti dhe as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate duke e ditur se këtë e ka themeluar Kuvendi i Kosovës, dua të theksoj se unë si deputet e pata kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, jo se jam kundër drejtësisë, por doja që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës”, tha ai.
Ish-anëtari i shtabit të UÇK-së akuzoi se raporti i Dick Marty-t u sponsorizua nga Serbia, se aktakuza është shumë e padrejtë dhe e pasaktë dhe shprehu bindjen se në fund i gjithë ky proces do të dëshmojë se populli shqiptar bëri një luftë të drejtë, të pastër dhe për liri.
“Ky proces do të dëshmojë se ishim një popull i shtypur që luftuam për liri. Ishte një luftë e drejtë. Bëmë një luftë të pastër dhe të drejtë dhe e tillë do të jetë edhe pas këtij procesi. Kushdo që ka dyshime do të bindet se as unë, e as UÇK nuk kemi të bëjmë me krime, e as ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha ai.
Selimi kujtoi para gjykatës se luftën e ka nisur me Adem Jasharin dhe e ka mbyllur me Gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark dhe ftoi gjykatën dhe prokurorinë që të qëndrojnë në anën e drejtësisë.
“Unë jam veçse një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe kemi përfunduar me NATO-n. E kam për detyrë dhe nder të jem në anën e UÇK dhe atletëve të kësaj ushtrie. Drejtësia e mbi të gjitha e vërteta duhet të jenë qëllimi i të gjithëve ne, pse jo edhe e prokurorisë”, u shpreh ai.
Rexhep Selimi është i fundit i akuzuar nga Gjykata Speciale e Kosovës për krime lufte gjatë viteve 1998-2000.
Ai u njoh me akuzat e ngritura kundër tij në Hagë, akuza që janë të njëjta me ato që përballen edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Të tre këta janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Avokati i Thaçit në seancën paraprake vuri në dukje mungesën e simboleve të shtetit të Kosovës në këtë gjykatë, si dhe mungesën e akuzave për trafik organesh, mbi bazën e të cilave u ngrit vetë ky institucion dhe u votua më Parlamentin e Kosovës.
Jakup Krasniqi nga ana tjetër e vlerësoi procesin padrejtësisht edhe më shumë se gjyqet e organizuara nga Serbia e Millosheviçit ndaj shqiptarëve, ndërsa Kadri Veseli u kërkoi qytetarëve që të rrinë të qetë dhe të besojnë në pafajësinë e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




