Kryeministri Edi Rama konfirmoi se Qeveria po shqyrton mundësinë e rishikimit me ulje të nivelit të taksave për të ardhurat personale. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kreu i Qeverisë nënkuptoi se rishikimi do të bëhet para 25 prillit, por tha se kjo nuk bëhet për çështje elektorale.
“Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën që të bëjmë një rishikim të progresivitetit për të ardhurat personale me synimin që të jemi më të hapur ndaj nevojës së atyre që janë jo në pjesën e sipërme dhe kjo do të bëhet bazuar në bindjen se është koha për ta bërë dhe ne e kemi këtë bindje dhe e dyta pa asnjë lidhje me fushatën elektorale”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se taksa progresive ka rezultuar e suksesshme, ndërsa sulmoi programin ekonomik të Partisë Demokratike, në thelb të të cilit është taksa e sheshtë në nivelin 9 për qind.
“Kohë e humbur të diskutojmë propozimet e PD, pasi në tërësinë e vet programi i PD është si karakteri i liderit të PD-së, i dobët dhe pa shtyllë kurrizore. Por, sidoqoftë vlen në parim të them që taksa e sheshtë është taksë për të pasurit, taksa e sheshtë është taksë për t’u dhënë edhe më shumë atyre që fitojnë më shumë dhe për t’u marrë shpirtin atyre që fitojnë më pak”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.