Presidenti Ilir Meta e cilësoi si pozitiv vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor që vendosi deklarimin e përfundimit të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë, megjithëse e vlerësoi si të vonuar.
“Vendimi është i vonuar, por pozitiv dhe krijon mundësi për të ruajtur integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë. Për mua si President nuk ka qenë dhe nuk do të jenë individët, por legjitimiteti i tyre në raport me ligjin dhe Kushtetutën. Për mua vendimtare ka qenë dhe mbetet respektimi i kushtetutës dhe ligjeve”, tha ai.
Presidenti vazhdon i qëndron mendimit se 30 qershori 2019 nuk ishte një datë zgjedhjesh dhe se nuk do të dekretojë zgjedhje vendore në katër bashkitë që aktualisht janë pa kryetarë, ose me kryetarë përtej mandatit, siç është Voltana Ademi në Shkodër. Ai është në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje.
“Unë veproj në raport me Kushtetutën. Nuk kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të fundit vendore”, tha ai.
Megjithatë, ka një mënyrë që mund të anashkalohet Gjykata Kushtetuese dhe ajo është përmes një marrëveshjeje politike të të gjitha palëve dhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve që do të siguronte zhvillimin e zgjedhjeve të reja vendore, jo në katër bashki, por në të gjithë vendin.
Presidenti flet me rezerva për marrëveshjen e fundit të miratuar në Këshillin Politik mes mazhorancës dhe opozitës, por e cilëson miratimin e saj në Kuvend si hap të domosdoshëm për forcimin e demokracisë dhe dërgimin e vendit sa më parë në zgjedhje për të rikthyer legjitimitetin e Parlamenti.
Në lidhje me emrat për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, Meta thotë se u ka qëndruar parimeve kushtetuese dhe ka përjashtuar nga gara emra anëtarë të partive për të garantuar pavarësinë e këtij institucioni.
Në fund, Meta uroi socialistët për 29 vjetorin e themelimit të partisë me një porosi për Edi Ramën.
“U uroj të gjithë socialistëve për këtë ditë të rëndësishme për ta dhe dua t’i vlerësoj për ato gjërat mjaft pozitive që kanë bërë për zhvillimin e demokracisë në vend dhe shpresoj që të jetë një ditë reflektimi edhe për ata që drejtojnë sot dhe të gjithë të tjerët”, u shpreh ai.
Urime nuk shkuan vetëm për Ramën. Presidenti uroi edhe Lulzim Bashën me rastin e ditëlindjes së 46-të. “Padyshim që e kam uruar dhe kam nisur me urimin edhe një shishe verë dhe shpresoj që, edhe ai ta kalojë gëzuar dhe dy palët të reflektojnë në të ardhmen marrëveshje të tjera që të ndihmojnë me plotësimin e 15 kushteve dhe integrimin”, deklaroi Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.