Politike

Rama tregon kufirin shqiptar nëse SHBA mbështet “fletë-rrufenë”: Sorry, I’m not with China!

Kryeministri Edi Rama nuk beson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dalin në mbështetje të akt-akuzës së ngritur nga prokuroria e gjykatës speciale të Kosovës, me seli në Hagë, por edhe nëse kjo ndodh tregon “kufirin” se deri ku mund të shkojë “përplasja” me ndërkombëtarët për këtë çështje.

“Nuk ka mundësi! Është e pamundur që një institucion drejtësie të nxjerrë këtë paccavure dhe m’u duk një fake neës për të krijuar atë turbullirën që krijoi, edhe për të hedhur një dorë baltë në gjithë globin që rrotullohet. Pastaj e verifikova që nuk ishte fake neës dhe e përsëris, se dua ta përsëris. Është e domosdoshme që ta përsëris se e di që do të ketë, sikur i shoh disa shqiptarë që me vrap kanë filluar të bëjnë mesazhe, edhe për Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Unë dua që të ndahen këto dy gjëra. Nëse SHBA përmes Ambasadës së SHBA në Prishtinë, përshëndesin fillimin e një procesi për të cilin është investuar nga vetë shteti i Kosovës me votë në Kuvend, jam dakord. Nëse përshëndesin atë fletë-rrufenë: Sorry, I’m not with China”, deklaroi Rama.

Këto komente, Kryeministri i bëri në konferencën për shtyp në përfundim të vizitës dyditore në Prishtinë. Ai e cilësoi akt-akuzën ndaj Hashim Thacit dhe Kadri Veselit si "fletë-rrufe, paçavure dhe brutalitet ndërkombëtar fyes, ndaj të cilit shqiptarët duhet të bashkohen dhe ta kundërshtojnë ndërkombëtarisht”.

Në krye të fjalës tha se vizita nuk kishte për qëllim që të bashkonte klasën politike të Prishtinës, por për të përcjellë mesazhin se nuk bëhet fjalë për një akuzë ndaj dy personave.

“Kush mendon se këtu bëhet fjalë për një akt ndaj disa personave, apo se këtu bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë instrument për pastrimin e skenës politike, apo për çkapjen e shtetit, është ose naiv, ose tejet i verbuar nga mllefi. Nuk ka mundësi tjetër”, tha Rama.

Kryeministri foli për një moment kritik në të cilin ndodhen sot shqiptarët, veçanërisht ata në Kosovë, që mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën. Ai tha se qytetarët duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për shumë më shumë se një akt-akuzë ndaj dy individëve.

“Nëse në këtë moment nuk ndajmë qartë drejtësinë me padrejtësinë….Qëndrimi im lidhet me padrejtësinë. Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një akt-akuzë që nuk është formalizuar nga gjykata, përbën jo vetëm një shkelje flagrante të çdo praktike të mirë të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe një akt brutal ndaj vetë Kosovës. Sot duhet pak vetëpërmbajtje dhe duhet fokus se ajo fletë-rrufe ka goditur shumë më larg dhe shumë më thellë sesa në ballin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e lartë politik të UÇK-së dhe përpjekje për të vendosur nën akuzë UÇK-në, si të ishte një ushtri e rregullt agresorësh që vinin nga Beogradi”, u shpreh ai.

Rama renditi tre prioritete për shqiptarët në Kosovë; të mos vetëizolohen, të vazhdojnë dialogun dhe të mos nënvlerësojnë rrezikun që mbërrin nga akt-akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi.

Rama thotë se ky akt i ndërkombëtarëve nuk duhet nënvlerësuar, edhe për faktin se sipas tij, aleatët që urdhëruan bombardimin e Serbisë gjatë luftës kanë dalë në pension dhe “ndërkombëtarët” e rinj nuk janë familjarë si me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Nëse e nënvlerësojmë sot këtë brutalitet… Nuk e dinë të gjithë se çfarë historie ka drejtësia ndërkombëtare në Kosovë”, u shpreh ai.

Për Ramën nuk ka asnjë mëdyshje që Kosova nuk duhet të vetëizolohet dhe dialogun me Serbinë duhet ta vazhdojë me ndërmjetësimin e SHBA, edhe nëse Uashingtoni do ta mbështesë akt-akuzën e ngritur ndaj Hashim Thaçit. Megjithatë ai nuk beson se kjo do të ndodhë.

Një panoramë të qëndrimit të Uashingtonit e bëri ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, i sapokthyer nga një vizitë atje ku u takua me të dërguarin e posaçëm të Trump, Richard Grenell dhe zyrtarët e tjerë të lartë të DASH, si Palmer e Reeker.

“Vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejtë me Kosovën. Por ju siguroj tre gjera nga bisedat e mia atje, së pari që nuk ka marrëveshje sekrete. Së dyti nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe mend në kokë nuk beson që Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës bën plane për ndarjen e Kosovës. E treta nuk ka nxitim në rastin e Kosovës, për çdo interes elektoral në SHBA. Këto janë qëndrimet që edhe vetë Grenell i ka komunikuar në vazhdimësi. Të tjerat prirje për të shkaktuar keqkuptime të brendshme”, sqaroi Cakaj.

Nga ana tjetër, Rama hoqi të gjitha mëdyshjet edhe nëse ishte tërhequr nga nisma e përbashkët me Aleksandër Vuçiç për shengenin ballkanik, që e mbron si një zhvillim strategjik për shqiptarët. Ai hodhi poshtë si konspirative dhe të pabazuara zërat kundër kësaj nisme, sipas të cilëve nga kjo përfiton vetëm Serbia.

Rama tha se në agjendë kishte planifikuar edhe një takim me Ramush Haradinajn, por ky i fundit e kishte refuzuar për shkak të procesit gjyqësor ku është i paditur për shpifje. Megjithatë, Kryeministri njoftoi se tërheqjen nga kjo padi.

“Unë kam 22 padi për shpifje dhe kjo që kam bërë këtu për Ramushin ka bërë më shumë zhurmë, por janë 22 të tilla me figura politike kryesisht që i kam në proces. Nuk janë bërë publike dhe nuk i kam bërë për t’i bërë publike. Ramushit i kam kërkuar takim si të gjithë të tjerëve, për të shkuar ta vizituar në seli, apo shtëpinë e tij dhe si paditës që shkon tek i padituri besoj që nuk ishte ai që ulej duke më hapur derën, për më tepër doja të diskutoja edhe me të për këtë çështje që është shumë më e madhe se Haradinaj, Hashimi dhe Kadriu, sepse ndikimet mund të jenë marramendëse për Kosovën në të ardhmen. E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime do të bëj një konferenc ku do të tërheq padinë, jo se ajo është e vogël për mua, por është shumë më e madhe ajo që sot është më e madhe nga të gjithë. Padia do të tërhiqet edhe zyrtarisht”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë