Kombetarja

Lituania, Reja parashikon ndryshime në mesfushë dhe sulm

Fitorja në Bjellorusi e bën detyrim për kuqezinjtë një tjetër trepikësh sot ndaj Lituanisë në “Air Albani Stadium”, për të qenë të parët në grup. Trajneri Reja në konferencë shtypi ka paralajmëruar ndryshime në formacioni, me shumë mundësi në sulm dhe në mesfushë, ku Broja ka shanse të mëdha për të qenë titullar.

Trajneri italian nuk ka frikë se do të ketë eufori nga ekipi, por ai kërkon kujdes, sepse ndeshjen e vlerëson mjaft të vështirë. 74-vjeçari shpjegoi edhe njëherë modulin e lojës së Shqipërisë dhe pse Roshi nuk mund të luajë nga minuta e parë. Shqipëria ka 3 pikë në grup, po aq sa Kazakistani.

“Me Lituaninë do të jetë një ndeshje e vështirë, ata kanë një skuadër që luan mirë me topin, janë shumë të shpejtë. Por kam besim tek ekipi im. Mund të bëjmë 3-4 ndryshime nga ndeshja e fundit, por duhet të jem i kujdesshëm në zgjedhjet e mia. Lituania humbi ndeshjen e parë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv. Cikalleshi i është i lodhur dhe ka probleme fizike, por mbrojtjen nuk kam shqetësim, pasi lojtarët e këtij reparti nuk janë lodhur shumë.

Bare dhe Abrashi janë lodhur shumë dhe po mendoj të bëj ndonjë ndryshim në qendër të mesfushës. Nuk e di, nëse Hysaj do të jetë në formë të mirë si ndaj Bjellorusisë. E përsëris, nuk duhet të rrezikojmë. Jam i kënaqur me fitoren ndaj Bjellorusisë, por rruga është e gjatë dhe e vështirë. Nuk besoj se në ekip do të ketë eufori.

Nga stërvitja e kuqezinjve. Gazeta Si, 6 shtator 2020

Roshi? Ai është nga ata lojtarë që futet në lojë dhe zgjidh ndeshjen. U kam thënë futbollistëve se duhet të jenë të kënaqur edhe me 5 minuta në fushë. Do doja që të luajë më shumë edhe Roshi, por është problem i modulit, që nuk mund ta ndryshoj në këtë kohë. Kam kohë që luaj me këtë modul dhe ekipi është përshtatur mirë. E kam provuar me Roshin, por kam frikë se humbim ekuilibrat, nuk është momenti për eksperimente.

Ramadani dhe Ismajli kanë probleme fizike. Më vjen shumë keq, por nuk janë gati për ndeshjen. Më duhen 22 lojtarë për 2 ndeshje dhe për fat të mirë kemi lojtarë shumë të mirë. Çekiçi dhe Laçi janë në një formë shumë të mirë, Çepele dhe Broja po ashtu kanë treguar formë të mirë. Broja më ka pëlqyer shumë, pasi ishte shumë mirë fizikisht. Çepele është shumë i ri, por duket si një lojtar me eksperiencë. Sigurisht, mund të kemi debutime ndaj Lituanisë, nga fillimi, apo edhe nga stoli. Kam edhe 24 orë kohë për të vendosur”, theksoi mes të tjerash trajneri i kuqezinjve, Edi Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë