Nga Gazeta ‘Si’ – Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë të premten se partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës.
Ai tha gjatë një konference për media në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe e mori këtë vendim në bashkëpunim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Rakiç theksoi se tani “topi është zhvendosur në fushën e Prishtinës”, dhe se pret që në komunat e veriut të Kosovën të thirren sa më parë zgjedhjet e reja.
“Më duhet të them se duhet të jemi të bashkuar dhe në këto kushte të pamundura të përpiqemi të jemi krijues të fatit tonë dhe të mbrojmë njerëzit. Gjithmonë kemi marrë vendime politike në interes të qytetarëve, duke mos parë nëse ata po nxjerrin pikë politike”, tha Rakiç.
Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë tani, të cilët e morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.
Kosova, pasi u përball me masa ndëshkuese nga BE-ja, u zotua për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë vetëm përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.
Më 13 shtator, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbë në veri të Kosovës “është kërkesë vetëm e Beogradit”, duke këmbëngulur se kryetarët mund të largohet nga zyrat vetëm përmes udhëzimit të ri administrativ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




