Ne rrjet

Lista Serbe kundër KQZ e Kurtit: Po na mohojnë të drejtën për vëzhgim dhe kontroll në zgjedhje

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, shpreh shqetësim dhe pakënaqësi për përbërjen e komisioneve zgjedhore për numërimin e votave për zgjedhjet e 9 shkurtit në veriun e vendit.

Ajo akuzoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po e dëmton atë, pasi në shumë komuna, Lista Serbe nuk ka anëtarë të vet për të “kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

Zyrtari i kësaj partie, Igor Simiç, tha në një konferencë për media se partia e Nenad Rashiçit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është “favorizuar” dhe se, në disa raste, ka më shumë anëtarë në komisionet zgjedhore, edhe pse, sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti mori dukshëm më pak vota.

“Partia e Rashiqit ka të njëjtin numër të përfaqësuesve edhe pse në zgjedhjet e fundit ka fituar 12 herë më pak vota se Lista Serbe. Këtu duhet theksuar se nga 17 vendvotime vetëm katër kryesohen nga serbët dhe 13 nga shqiptarët”, tha Simiç.

Si shembull për pretendimet e tij, Simiç mori komunën e Istogut, ku në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe mori 259 vota, por nuk ka asnjë kryesues apo anëtar në komisionin zgjedhor, në qendrën komunale të numërimit të votave ose në vendet për votimin me kusht.

Simiç theksoi se Lista Serbe, edhe pse me përfaqësi në parlament, ka më pak anëtarë në komisionet zgjedhore, madje edhe në komunat me shumicë serbe.

“Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe si parti parlamentare ka 18 përfaqësues në vendvotime, përfshirë vetëm tre kryesues nga gjithsej 24 vendvotime dhe 15 anëtarë. Si rrjedhojë, mund të llogaritni vetë – në gjashtë vende ne nuk kemi përfaqësuesit tanë, që do të thotë se në gjashtë qendra me potencialisht 6.000 votues, nuk kemi kontroll mbi procesin zgjedhor, pasi nuk kemi anëtarë të cilët mund ta mbikëqyrin procesin.”

Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje, pasi e konsideron atë “kundërshtarin më të madh”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë