Gazeta Si – Trajneri Silvinjo e ka gati listën për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2024 me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Kuqezinjtë duhet të sigurojnë edhe ‘de jure’ kualifikimin për në Gjermani dhe kjo mund të ndodhë që në Moldavi në rast rezultati pozitiv.
Në këtë grumbullim të fundit të Kombëtares pritet të jetë gati i njëjti grup lojtarësh. Dyshimi i vetëm është ai i Armando Brojës. Sulmuesi kuqezi që ka munguar në këto kualifikuese për shkak të dëmtimit në gju, rrezikon të mos jetë as këtë herë.
Broja nuk ka luajtur me Çelsin në kampionat dhe ky fakt i minimizon shanset e tij për të qenë në listën e trajnerit brazilian. Megjithatë, ka edhe një javë kohë deri në ndeshjen me Moldavinë dhe ndoshta sulmuesi mund të jetë në listë paraprakisht.
Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme me dëmtimet. Së fundi është rikthyer edhe mbrojtësi Adrian Ismajli, i cili luajti në kampionat me Empolin. Po ashtu, ka rënë alarmi për Ivan Balliun, që e ka lënë pas dëmtimin.
Lista pritet të publikohet të premten, ndërsa të shtunën trajneri Silvinjo do të dalë në konferencë shtypi, siç bën në çdo grumbullim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.