Kombetarja

Lista për Çekinë dhe Poloninë/ Silvinjo thërret Mujën dhe Dakun, kthehen Ajeti dhe Roshi

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka publikuar sot listën me 25 lojtarët e grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Çekisë dhe Polonisë, që luhen më 7 dhe 10 shtator. Një listë me ndryshimet që priteshin pak a shumë.

Janë konfirmuar në këtë listë dy prurjet e reja për sulmin: Arbnor Muja i Antverpës dhe Mirlind Daku i Rubin Kazan. Por ka edhe rikthime të rëndësishme, siç janë mbrojtësi Arlind Ajeti dhe mesfushori Odise Roshi, por edhe Klaus Gjasula. Bie në sy mungesa e veteranit Amir Abrashi.

Kuqezinjtë do të grumbullohen të hënën në Tiranë, në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Trajneri Silvinjo do të dalë në një konferencë shtypi ditën e shtunë, ku do të shpjegojë zgjedhjet e tij dhe do të flasë për dy eliminatoret e radhës, që janë vendimtare për Euro 2024. Për shkak dëmtimi mungojnë edhe këtë herë mbrojtvsi Marash Kumbulla dhe sulmuesi Armando Broja.

Pas tri ndeshjeve të para në grup, Shqipëria mban vendin e dytë, me 6 pikë. Kuqezinjtë humbën ndeshjen e parë me Poloninë, më pas mundën Moldavinë në Tiranë dhe Ishujt Faroe në transfertë. Ndeshjet e shtatorit me Çekinë jashtë fushe dhe Poloninë në ‘Air Albania’ do të vendosin fatin e kualifikimit ose jo në Europianin e Gjermanisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë