Politike

Lista e Berishës shpërbleu ata që i qëndruan poshtë dritares

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbrojti sot në një deklaratë për media vendimin e tij për listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 majit.

Ai pranoi se tashmë Primaret ishin zhbërë dhe tha se në lista u përfshinë “qëndrestarët”.

Berisha tha se u përfshinë persona që për katër vite sipas tij luftuan mafien sorosiane dhe bënë betejë, duke konfirmuar se në listat e PD-së në vende të sigurta u përfshinë të gjithë mbështetësit e Berishës, duke lënë jashtë tyre shumë emra të njohur që ishin rreshtuar me Lulzim Bashën deri një vit më parë.

“Ka në listë burra, gra, djem dhe vajza që kanë bërë gjatë këtyre 4 viteve qëndresën e tyre ndaj mafies sorosianë dhe narkoshtetit. Betejë për sovranitetin e brendshëm të një vendi.

Shqiptarët panë mbrëmë listën e atyre me një numër të pafundëm denoncimesh dhe me regjimin më të korruptuar në botë, që bën avokatinë në parlamentin shqiptar dhe kudo. Te ne, shqiptarët panë një garë mahnitëse, kandidatët e tyre nuk erdhën nga bodrumet e shtëpive mafioze, Dubai, Aruba apo qendra të tjera të rrezikshme të mafias shqiptare, por erdhën nga vota dhe konsulta e anëtarëve të PD-së”, tha ai. 

Ndërsa i pyetur për lënien jashtë listës të deputetit Dashnor Sula i cili më vonë njoftoi se do bashkohej me Adriatik Lapajn, Berisha deklaroi se ai u rreshtua me “opozitën e opozitës”, të cilës iu referua si “patericë e Ramës”.

Lidhur me ‘mbrojtjen’ që kryeministri Edi Rama i bëri Sulës duke e konsideruar ‘një gjel deti i veçantë’, Berisha tha se ajo është ‘puthja e Judës’ për deputetin.

“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, që ka karrierën e tij. Por hapi që bëri, të rrjeshtohet me opozitën e opozitës, de fakto patericë e Edi Ramës, nuk është zgjidhja e duhur, megjithëse unë e respektoj zgjedhjen si thelbin e lirisë së çdo individi”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë