Kur pagat e mbi 600 mijë shqiptarëve u bënë publike, duke hyrë vjedhurazi nëpër mesazhe celularësh, një fenomen i rëndë ndodhi.
Të nesërmen e asaj dite, këto lista ishin në telefonat e fëmijëve në shkolla të cilët komentonin paratë e prindërve të tyre. Kush kishte më shumë e kush më pak. Pse babi i njërit ishte më i mirë se i tjetrit, vetëm se kishte para më shumë.
Gazeta “Si” mësoi nga shumë mësues sesi një skandal shtetëror u kthye në megabullizëm. Fëmijët i vunë metrin njëri- tjetrit nga madhësia e portofolit të prindërit.
Askush nuk e imagjinonte se do të ndodhte kështu megjithëse ka kohë që paraja dhe statusi financiar për disa është bërë privilegj në këtë shoqëri dhe dhimbje e nëpërkëmbje për të tjerët.
Nuk kishte rëndësi për fëmijët se si ishin krijuar ato para, nga korrupsioni i prindit, nga vjedhja, apo nga puna e ndershme. Për ta, ajo listë u jepte një karrige në rresht të parë në këtë teatër pasurie.
Bërja publike edhe pse në mënyrë kriminale e të dhënave personale mbi të ardhurat plasi ca ujëra të qelbura dhe ca fasada. Na vuri dhe një herë në pikëpyetje shtetin tonë të dobët. Na tregoi se si mund të lëvizë klintelizmi dhe paguhet pushteti. Ngriti flamujt e rrezikut për pastrim parash. Na bëri hasëm me punëdhësin sepse pamë që kolegu mund të kishte një pagë të mirë dhe u shërbeu hajdutëve e gjobëvënësve një kafe të ngrohtë përpara se të nisin ditën për gjuetinë e presë së radhës.
Por nuk e beson dot kush, deri sa zbuluam fakte se publikimi i listës së pagave tek fëmijët do të kishte pasoja më të rënda. Deformim të meritave, plus bullizëm.
Fëmijës i erdhi turp se pse prindi i tij është me më pak lekë se një tjetër. Ndaj, brenda vetes filloi të mbarsej një mostër e pafajshme që nesër do të jetë i uritur për më shumë para, pavarësisht mënyrës, pasi kjo qenka rruga e vetme për të mos u ndjerë inferior. Ata (fëmijët) ende nuk e kanë kuptuar se të jesh i varfër nuk është turp e as frikë, siç edhe pasuria nuk të jep status më të lartë në shoqëri.
Fëmijë duhet të mësoni se me varfërinë dhe etjen për para nuk mund të manipulosh, as veset e as krimet, megjithëse sot disa prej nesh fshihen shpesh pas saj: Me varfërinë justifikojmë vjedhjen, me varfërinë justifikojmë veset, me varfërinë korrupsionin, me varfërinë paditurinë, më varfërinë izolimin, me varfërinë keqtrajtimin. Me varfërinë nuk luhet, po vetëm dhurohet dashuri, mundim dhe punë.
Megjithëse shpesh ne shqiptarët ndihemi si mëkatari në shtëpinë e zotit, duhet të nderojmë shenjtërinë e punës së ndershme. Ai është i vetmi kult!
Nuk duhet të justifikohemi se jemi ndër popujt më të varfër (financiarisht) ndaj s’kemi rrugë tjetër veçse t’i devijojmë punës së ndershme, pasi në këtë mënyrë u kemi dhënë në dorë udhëheqësve tanë të kenë alibi sa herë qeverisin keq: Jemi të varfër ndaj dhe qeveritë tona nuk mund t’i zgjidhin shpejt të gjitha hallet tona. Jemi të varfër ndaj krimin e justifikojmë në emër të varfërisë.
Në fakt grykësia e pushtetit ka fituar mbi mirësinë tonë duke na vënë shpesh për fund. Zotat e tokës që mendojnë se janë të tillë se kanë pasuri, na kanë mbyllur shumë rrugë e po na mbajnë nën fre duke na detyruar të hyjmë në marrëveshje me mëkatin e tyre, ndaj sot Shqipëria nuk është më e mirë sesa e meritoni.
Fëmijë: “Zotat” që mendojnë se kanë më shumë para e duhet të jenë të privilegjuar, nuk e njohin kultin e punës dhe përuljes, kultin e shërbesës ndaj atij që ka më shumë nevojë.
Por se ata kanë më shumë para, nuk do të thotë se janë më të pasurit. Shikoni tek njëri-tjetri virtytin dhe shokun dhe vendosni se cili shqiptar dëshironi të jeni. Ne të rriturve shpesh na ka ikur ky moment, por nuk është thënë që s’kemi kohë bashkë me ju të ndërtojmë një vend më të mirë që nuk përulet para listës së pagave, por para mirësisë ndaj njëri- tjetrit dhe punës së ndershme.
Ne nuk duhet të kemi turp nga puna jonë e ndershme. Por ama as nuk duhet kohën ta lëmë të shkojë, ka ardhur momenti të tregojmë se cilët shqiptarë duam të jemi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.