Kombetarja

Lista e kuqezinjve/ Ivan Balliu risia e vetme, mungojnë Abrashi dhe Laçi

Trajneri Edi Reja ka shpallur sot listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë. Risia e kësaj liste është Ivan Balliu, mbrojtësi i krahut të djathtë që aktivizohet me Rajo Valekanon në Spanjë. Mungojnë për shkak dëmtimi Amir Abrashi dhe Qazim Laçi, pjesa tjetër e kuqezinjve është po ajo që ishte edhe në ndeshjet e shtatorit.

Konfirmohet rikthimi i Balliut në Kombëtare, lojtarit të grumbulluar për herë të parë nga ish-trajneri Kristian Panuçi. Emri i tij ishte në listën e Rejës edhe për ndeshjet e fundit, por mbrojtësi nuk u bashkua me Kombëtaren për probleme fizike, ndërsa tani ka konfirmuar ftesën. Balliu po luan rregullisht në këtë fillim sezoni në La Liga me Rajo Valekanon dhe është gati për të qenë edhe titullar. Me ardhjen e tij, ka shumë mundësi që Hysaj të spostohet në të majtë.

Lista e Kombetares. Gazeta Si, 3 tetor 2021

Nuk është në listë Taulant Xhaka, që gjithashtu e kishte emrin edhe në ndeshjet e shtatorit, por që për shkak dëmtimi nuk erdhi. Nuk është e qartë, nëse këtë herë është një refuzim i tij, por janë sërish problemet fizike. Trajneri Reja nuk do të ketë në dispozicion dy mesfushorët Amir Abrashi dhe Qazim Laçi, të dy të dëmtuar. Janë mungesa që prishin punë, sepse janë të dy lojtarë të të njëjtit rol.

Sulmuesi Ernest Muçi është grumbulluar nga Kombëtarja U-21 këtë herë, bashkë me mbrojtësin Çepele dhe mesfushorin Mitaj. Rikthehen në Kombëtare ndërkohë Kastrioti Dermaku, Frederik Veseli dhe Ermir Lenjani, të cilët kanë munguar në ndeshjet e fundit për shkak dëmtimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë