Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen miqësore me Armeninë me 7 tetor dhe dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin me 11 tetor dhe me Lituaninë më 14 tetor. Priteshin të reja dhe kështu ka ndodhur, por ka një befasi të madhe në këtë listë. Odise Roshi, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi dhe Elseid Hysaj janë përjashtuar nga grumbullimi. Arsyet e këtij vendimi kanë të bëjnë me paraqitjen në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, por sidomos me faktin se këta lojtarë ishin të pranishëm te fejesa e Odise Roshit, gjatë grumbullimit me kombëtaren, duke thyer rregulloren e brendshme.
Trajneri italian ka grumbulluar 18-vjeçarin që luan me të rinjtë e Bolonjës, Marko Molla. Ai luan në portë dhe për herë të parë do të veshë fanellën e Kombëtares kuqezi. Më parë ka luajtur edhe me moshat e Italisë. Për herë të parë me Kombëtaren A do të jetë edhe sulmuesin Sherif Kallaku, i cili sapo është transferuar te NK Lokomotiva në Kroaci.
Në mbrojtje bie në sy edhe grumbullimi për herë të parë i Albi Dokës, ish-mbrojtësit të Tiranës dhe aktualisht tek Gorica në Kroaci, Xhon Mersinajt mbrojtësit të Lokomotivës i cili vitin e shkuar ka zhvilluar 5 ndeshje me ekipin kombëtarë Shpresa dhe Enis Çokajt mesfushorin e Lokomotivës. Pjesa tjetër e lojtarëve janë të njohur për Kombëtaren. Nga Superiorja, për herë të parë nuk ka asnjë përfaqësues.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




