Bota

Liroi një oficer libian të kërkuar nga Gjykata e Hagës, Meloni vendoset nën hetim: Nuk shantazhohem!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka njoftuar se është vënë nën hetim gjyqësor lidhur me lirimin e papritur nga qelia të një oficeri policie libian, të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Osama Elmasry Njeem, i njohur gjithashtu si Osama Almasri Njeem, u lirua javën e kaluar pasi u ndalua disa ditë më parë nën një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për krime të dyshuara kundër njerëzimit.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, Meloni tha se kishte marrë një paralajmërim nga prokurori publik i Romës Francesco Lo Voi “për krimet e ndihmës dhe përvetësimit”.

Kryeministrja shtoi se bashkë me të do të hetohen edhe ministri i Drejtësisë Carlo Nordio, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi dhe nënsekretari i kryeministrit Alfredo Mantovano.

“Mendoj se ajo që vlente dje, vlen sot. Unë nuk ndihem e intimiduar, nuk jam e frikësuar, ka mundësi që për këtë arsye të jem e papëlqyer nga ata që nuk duan që Italia të ndryshojë dhe të bëhet më e mirë. Por edhe mbi të gjitha për këtë arsye kam ndërmend të vazhdoj rrugën time në mbrojtje të italianëve, sidomos kur rrezikohet siguria e kombit”, shtoi Meloni, duke sugjeruar se ky hetim synon të bllokojë politikën e qeverisë.

Për sa i përket hetimit ndaj Melonit, ka gjasa që nesër pasdite të bëhet një qartësi më e madhe gjatë konferencës së vetë ministrave Nordio dhe Piantedosi në sallë, në orën 16.15.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë