Drejtësia

Lirohen punonjësit e portit, por zhdukja e arkave me banane mbetet një mister

Gazeta Si – Pas 10 ditësh në qeli, janë liruar tetë personat që u arrestuan pas mungesës së 49 arkave me banane në kontejnerin e portit të Durrësit, për të cilat dyshohej se ka pasur drogë.

Prokuroria e Durrësit ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë për punonjësit e portit më të madh në vend, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”.

Megjithatë, mbetet mister zhdukja e 49 arkave me banane brenda të cilave dyshohet të ketë pasur kokainë.

LEXO EDHE:
– Arkat me banane u zhdukën gjatë natës me vetëm 1 roje në turn. Burg për 8 nga 20 të ndaluarit
– Nga kokaina në anijen me qymyr te zhdukja e arkave me banane. A është porti i Durrësit në duart e narko-trafikantëve?

Kontejneri i ardhur nga Ekuadori rezultoi pa plumbçe dhe në mungesë të një pjese të ngarkesës.

Për punonjësit e sigurisë dhe konkretisht ata të monitorimit të kamerave në sallën operative, është caktuar masa “detyrim paraqitje”.

Gjithashtu edhe për dy punonjësit e kompanisë Ziko shpk, Altin Muhametaj, Mazmi Allgjata është zëvendësuar masa e sigurisë nga arrest në burg, në detyrim paraqitjeje.

Pas përfundimit të këqyrjes së 195 orëve pamje filmike në Portin e Durrësit, grupi që punoi për të kontrolluar filmimet nuk ka arritur që të zbulojë persona që mund t’i jenë afruar kontejnerit me banane që ishte dëmtuar.

Nga pamjet vërehet se grupi i AKU-së nuk e ka verifikuar në terren fizikisht kontejnerin, duke e bërë procesverbalin nga distanca.

Në këto kushte, grupi hetimor dyshon se kontejneri mund të jetë hapur në porte të tjera, ku ka qëndruar në anijen që e transportonte. Porti kalabrez i Gioa Tauros është i parafundit para mbërritjes në Durrës.

Kontejneri me banane ka mbërritur në Durrës në datën 8 korrik, ndërsa në 16 korrik kur do të zhdoganohej, ai u gjet i pa plumbosur.

Më pas task-forca kontrolloi dokumentacionin e kompanisë porositëse ZICO sh.p.k dhe rezultoi se duhet të ishin 1200 kuti.

Kur hynë në brendësi të kontejneri zbuluan se aty ndodheshin 1.151 kuti me banane. 49 mungonin, ndaj lindën dyshime të arsyeshme se kontejneri është hapur dhe në ato kuti mund të ketë pasur lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Për zhdukjen e arkave të bananeve fillimisht u arrestuan 20 persona, 12 prej të cilëve u lanë të lirë më herët, ndërsa tetë të tjerët u liruan në seancën së sotme (28 korrik).

Tetë personat e liruar

1.Gentian Halilin

2. Rajd Bletën

3.Gjergj Doraci

4.Shefqet Elezin

5.Profit Tola

6.Skënder Plaku

7.Altin Muhametaj 

8.Nazmi Allgjata


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë