Drejtësia

Lirohen nga qelia 4 elektricistët për dy ‘shtëpitë e barit’ në Vlorë

Gazeta Si – Katër elektricistët e arrestuar pas zbulimit të dy “shtëpive të barit” në Vlorë dhe në fshatin Kropisht, janë liruar.

Gjykata e Vlorës vendosi të lërë në “arrest shtëpie” punonjësit Niko Dhimaj dhe Florjan Çaushaj banues në fshatin Kropisht, si edhe Edmond Begaj dhe Gentjan Metushi.

Në një seancë gjyqësore që zgjati më tepër se 1 orë, gjykata vendosi për ta një masë më të butë sigurie nën argumentin e mospërfshirjes direkte në këtë ngjarje kriminale. Deri në përfundim të hetimeve, ata do të qëndrojnë në “arrest shtëpie”.

Por si nisi operacioni? Policia kishte informacion për dy ambiente të ndryshme në Vlorë ku dyshohej se kultivohej kanabis, vila në lagjen “10 Korriku” dhe një ambient tjetër në Kropisht të Selenicës. Paraditen e së enjtes, efektivët u organizuan në dy grupe një tek vila e tjetri tek ambienti në Selenicë.

Kur vajtën tek vila efektivët panë se nuk kishte njeri, pritën, nuk ndërhynë dhe e mbajtën nën vëzhgim.

Ndërsa në Selenicë, efektivët gjetën “87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike kanabis sativa”.

Në këtë vend, u arrestua 45-vjeçari Dritan Koçiraj, ndërsa vëllai i tij Pëllumb Koçiraj u shpall në kërkim.

Operacione te vila: Teksa agjentët mbanin nën vëzhgim vilën, dikush u pa të futej me vrap brenda. Bëhej fjalë për 38-vjeçarin Lejdon Zahaj, i cili po vraponte, pasi po ndiqej nga policia pasi dyshohej si autor i plagosjes me armë zjarri të Dëfrim Pashajt. Plagosja e 40-vjeçarit kishte ndodhur vetëm pak minuta më herët (rreth orës 15:45) në zonën e Ujit të Ftohtë.

Në këtë moment, brenda shtëpisë hynë të gjitha forcat e policisë me Zahajn që u prangos. Kur shpërthyen derën e vilës, dyshimet e autoriteteve policore u shuan. Kati i parë dhe i tretë i kësaj vile i mbushur me vazo me bimë kanabisi.

Në total, “në të dyja katet e vilës, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave”.

Policia po ashtu sqaroi se Lejdon Zahaj dhe pronari i vilës, Lorenc Xhaferri, janë kunetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë