Drejtësia

Lirimi i Viktor Ymerit, ish-shefi juridik i Burgut të Peqinit fajëson drejtorin për të dhënat e rreme

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Gani Shehun, ish-drejtorin Juridik të Burgut të Peqinit, i akuzuar se ka abuzuar me detyrën e tij, duke bërë të mundur që të paraqiste dokumente të rreme që të lirohej një prej të burgosurve “të fortë” në vend, Viktor Ymeri.

Shehu ka pranuar në gjykatë se ka qenë ai personi që ka përpiluar shkresën për të dënuarin Ymeri bazuar në komunikimet që ka pasur me shefat e burgjeve në lidhje me vendet ku ka kryer dënimin.

Sipas Shehut, shkresa është firmosur edhe nga drejtori dhe nëse do të ishin gabim vendodhjet e Ymerit përgjatë viteve, mund ta kishte kthyer, pasi atij i takonte verifikimi dhe vendimi.

Ish-shefi juridik Gani Shehu dhe kartelisti Lulzim Kadiu, dyshohet se i kanë shtuar më shumë orë pune këtij të dënuari, që të përfitonte lirinë sa më shpejt.

Por prokuroria pretendon se Shehu, në përgjigjen që mban datën 14 janar 2021, të kthyer avokates së Viktor Ymerit, ka evidentuar se gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit me 25 vite burgim, i dënuari nuk ka qenë i rehabilituar në burgun e Peqinit.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Ymerit, kanë pretenduar se klienti i tyre i arrestuar për vrasjen e Vajdin Lamajt, ka qenë në burgun e Drenovës kur ka ndodhur krimi dhe jo në burgun e Peqinit.

Ymeri, i konsideruar si “i forti” i Vlorës në vitet ‘97-’98, bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës.

Lidhur me këtë ngjarje, pasi vuajti dënimin, ai u lirua nga burgu në 2019-ën, por u rikthye sërish në qeli në dhjetor 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005-ën, të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë