Ngjarje

Liria që zgjati pak orë: Zebra e “Safarit” të Fierit ndërron jetë

Zebra pa emër ndërroi jetë. Kështu e ka lajmëruar vdekjen e një prej kafshëve të çliruara me forcë nga kopshti zoologjik i Fierit, “Safari Park” shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws International”. Nuk ka mundur ta gëzojë lirinë, në gjendjen e dobët shëndetësore apo anestezia ishte tejet e fortë për fizikun e tij të brishtë. “Festojmë sëbashku dhe vajtojmë së bashku”, shkruan në një postim në faqen e Facebook-ut organizata ndërkombëtare, e cila mori përsipër çlirimin dhe rehabilitimin e kafshëve që mbaheshin në kushte të mjerueshme nga ky kopsht zoologjik privat shqiptar. “Pasi ndamë me ju lajmin e shpëtimit të kafshëve të egra nga kopshti më i tmerrshëm zoologjik në Europë, kemi lajmërimin e trishtueshëm për të bërë:  “zebra pa emër” ndërroi jetë pasi mbërriti në strehën e re.” “Four Paws International”  ka bërë të ditur se gjatë transferimit kafsha ishte e vetëdijshme, por pasi kaloi në ambientin e ri, vdiq papritur.

Lajmi është shoqëruar nga mijëra komente mbështetësish dhe kafshëdashësish nga e gjithë bota, ku një komentues nga Japonia, shkruante se e kishte lexuar lajmin për kushtet e tmerrshme në të cilat jetonin këto kafshë të egra në Fier, nga një media japoneze, ndërsa ka shprehur trishtimin për lajmin e hidhur. Një tjetër komentues ka shkruar se ka qenë anestezia që e ka shembur trupin e tij të brishtë. Shumë të tjerë nuk e përmbanin zemëratën për ata që kishin nxjerrë përfitime nga skllavërimi i këtyre kafshëve.

https://www.facebook.com/fourpaws.org/videos/1933237353647623/

Një tjetër komentues shtonte se zebra mund të mos jetë e fundit nga kafshët e çliruara, që humbet jetën, nisur nga kushtet në të cilën janë mbajtur për vite më radhë. Kjo organizatë ka pranuar rrezikun që vjen me anestezinë dhe transportin e çdo specieje “veçanërisht nëse kafshën vijnë nga mbajtja në kushte të këqija. “Shumë kanë sugjeruar që zebra të mos largohet drejt parajsës së kafshëve, pa pasur një emër, duke propozuar kështu emra të ndryshëm. “Kishim ëndrrën ta shihnin të vraponte i lirë në një prej shenjtëroreve tona. Fatkeqësisht kjo nuk do të ndodhë tani dhe megjithëse nuk pati një emër, do të jetë gjithnjë në zemrat tona.”

Organizata në ndihmë të kafshëve ka njoftuar se kafshët e shpëtuara të dielën e 28 tetorit nga kopshti zoologjik i Fierit ndodhen përkohësisht në strehën e re, në kopshtin zoologjik të  Tiranës. “Po kërkojmë akomodime të përshtatshme për secilin prej tyre”, ka thënë Four Paws, ndërsa ka njoftuar se pasi të marrin veten, kafshët do të lëvizin. Tre luanët me gjasë mund të kenë gjetur shtëpi në “qendrën tonë të Maceve të Mëdha “Felida””, ndërsa Dushi,  ariu me tri kembë,  do të nisë nje jetë të re në  BÄRENWALD Müritz, në Gjermani, “ku do të bredhë rreth rrethimit me pyll të dendur”.

https://www.facebook.com/4PFOTEN/videos/1905381032884102/

Operacioni i shpëtimit, ka bërë të ditur, organizata, ishte përvojë intensive. Ditën e diel vullnetarët për shpëtimin e 13 kafshëve ( tashmë pas humbjes së zebrës kanë mbetur 12) kanë hasur në kundërshtinë e pronarëve të   “Safari Park” për  zhvendosjen e kafshëve, ndërsa përmes avokatit të tyre kanë thënë se ky park ka qenë i licencuar.

Pas operacionit të shpëtimit të kafshëve të egra nga ky kopsht zoologjik, ka marrë fund edhe “Safari Park”. Pas artikullit të publikuar në medien britanike “Daily Mail”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi,  urdhëroi inspektimin nga Inspektorati i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilët pasi verifikuan dokumentacionin vendosën pezullimin e aktivitetit dhe largimin e menjëhershëm të  kafshëve, në Kopshtin Zoologjik të Tiranës.

Sipas vullnetarëve, kafshëve të abuzuara deri më tani, po u jepet një mundësi e dytë. “Kafshët ishin të ngërthyer në kafazë të ndyrë betoni, por vuajtja e tyre ka marrë fund.” Operacioni i shpëtimit u krye në bashkëpunim të kësaj organizate me ministrinë shqiptare të Turizmit dhe policinë, duke hyrë me forcë në kopshtin zoologjik. “Do përkujdesemi derisa t’i kthejmë në shëndet të plotë, përpara se të lëvizin në shtëpitë e tyre të përheshme dhe në streha të përshtatshme për llojin e tyre.”

A do të mund të durojë fiziku i këtyre kafshëve të shtrënguara për vite me radhë brenda jetës së izoluar në kafaze, derisa të vrapojnë të lirë në strehëzat e Europës? A do të hapë ky rast debatin e madh nëse duhet ende të ekzistojnë kopshtet zoologjike dhe praktika mizore e argëtimit të kinse shoqërisë së civilizuar me kafshët ekzotike që rrëmbehen prej habitatit të tyre? Paralelisht me këtë lajm, ku ishte syri i një gazetari të huaj, të mësuar me të tjerë standarde të kopshteve zoologjikë , kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lajmëruar se vitin e ardhshëm do të nisin punimet për ndërtimin e një kopshti të ri zoologjik, që siç thotë kryebashkiaku do të jetë katër herë më i madh se ky që kemi sot, ku kutërbimi i papastërtisë ndihet edhe nga jashtë kangjellave rrethuese e ku kafshët, veç trishtimit e stresit psikologjik, duken edhe të kequshqyer e të dobët.

A do të jetë një kopsht zoologjik, si strehat që rikrijojnë mjedise të përshtatshme që u ngjajnë botës së egër nga janë hequr këto kafshë apo do të mbeten sërish pas hekurave? Kush mundet të argëtohet ende, në shoqërinë e shekullit të 21 –të ku gjithnjë e më shumë rritet numri i kafshëdashësve, i vullnetarëve në shpëtimin e specieve në rrezik apo i veganëve që heqin dorë nga mishi për të mos vrarë më qenie që në disa vende të botës cilësohen si “Sentient beings” apo qenie me ndjenja – nga kundrimi pas kafazeve të kafshëve që lëngojnë për lirinë e humbur?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë