Ekonomi

Liria Ekonomike, Shqipëria fiton pikë, por humbet 2 pozicione në Indeksin Botëror

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria vlerësohet me 66.6 pikë në indeksin e Lirisë Ekonomike, me një rritje të lehtë nga viti i shkuar.

Por pozicioni I Shqipërisë nuk është përmirësuar, madje ajo ka humbur dy vende nga renditja e 2024-s, duke mbajtur vendin e 50-të për 2025-n nga 184 vende në listë. Në renditjen rajonale,  Shqipëria vazhdon të mbajë të njëjtin pozicion, në vend të 27-të.

Sipas indikatorëve, Shqipëria është përmirësuar në drejtim të të drejtave për pronën, sistemin juridik, shërbimet publike etj.

Liria për të investuar dhe liria ekonomike janë indikatorët me më pak pikë për Shqipërinë, me 60 për secilën.

Sipas standardit të indeksit, ekonomia e Shqipërisë konsiderohet nga raporti si vend “mesatarisht e lirë”.

Sipas shpjegimit që jep Indeksi, liria ekonomike e një shteti përcakton autonominë individuale: lirinë e zgjedhjes që gëzojnë individët në marrjen dhe përdorimin e mallrave dhe burimeve ekonomike, pa ndërhyrjen e qeverisë.

Indeksi i vitit 2025, i cili merr në konsideratë politikat dhe kushtet ekonomike në 184 vende sovrane nga 1 korriku 2023 deri më 30 qershor 2024, zbulon një ekonomi botërore që, marrë në tërësi, mbetet “kryesisht jo e lirë”. Rezultati mesatar global i lirisë ekonomike është rritur me 1.1 pikë në 59.7 nga 58.6 e një viti më parë.

Singapori vazhdon të jetë ekonomia më e lirë në botë, duke demonstruar një nivel vazhdimisht të lartë të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit ekonomik. Zvicra është ekonomia e dytë më e lirë në botë, e ndjekur nga Irlanda. Tajvani ka ruajtur renditjen si ekonomia e katërt më e lirë, më e larta që vendi ka arritur ndonjëherë në Indeksin e Lirisë Ekonomike.

Indeksi i Lirisë Ekonomike për vitin 2025 zbulon se sa e brishtë është bërë ekonomia e botës. Presioni në rënie në ekonominë botërore shënohet nga ndikimi i vazhdueshëm i zgjedhjeve të gabuara të politikave ekonomike nga periudha e pandemisë së koronavirusit, inflacionit më të lartë, pushtimit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë dhe një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme, mes tensioneve të tjera ekonomike dhe gjeopolitike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë