Ne rrjet

Liqen i Madh, Det i Vogël – Kaspiku është det apo liqen?

The Economist - Emrat mund të jenë çorientues. Merrni shembull Detin Kaspik. Është një nga trupat më të mëdhenj të ujit brenda një territori toke – apo ajo çka disa mund ta quanin një liqen të kripur. Ngatërrimi ka nxitur debate mbi statusin e tij ligjor për afro 30 vite tashmë, ndërsa liqenet dhe detet bien nën regjime të ndryshëm ligjorë.

Kaspiku qëndron në pikën strategjike mes Europës dhe Azisë dhe përmban rezerva fitimprurëse nafte, gazi dhe peshku, përfshirë edhe peshkun bli, nga i cili prodhohet havjari. Bashkimi Sovjetik dhe Irani i patën përcaktuar qartë kufijtë e tyre detare, por pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shfaqja e Azerbajxhanit, Kazakistanit dhe Turkmenistanit të pavarur, trazoi ujërat.

Më 12 gusht, pesë shtetet bregdetare, më në fund kanë nënshkruar marrëveshjen. Kaspiku, thotë zyrtari rusi, do të trajtohet as si liqen e as si det, por si një subjekt i “një statusi të veçantë ligjor”. Ndërsa lë pas disa nga çështjet  më të mprehta të pazgjidhura, pakti sqaron kufijtë detarë, duke bërë të mundur çuarjen përpara të projekteve të naftës, gazit dhe gazsjellësve.

Të pesë shtetet do të kenë ujërat territoriale të shtrira në 15 milje ( 24 kilometra) që zgjerohen nga brigjet e tyre dhe 10 milje të tjera (16 km) të drejta ekskluzive të peshkimit. Pjesa tjetër e sipërfaqes ujore do të jetë territor i përbashkët, por shtetet jo firmëtarë nuk mund të vendosin forcat e tyre të armatosura atje. Për Rusinë, kjo marrëveshje ndihmon në ruajtjen e dominimit  ushtarak,  duke mbajtur lirinë e lëvizjes për anijet luftarake. (Rusia e ka përdorur Kaspikun për të hedhur raketat në Siri.)

Shtrati detar dhe burimet e tij, ndërkohë, do të ndahet  veçmas mes shteteve firmëtarë,  ndërsa Rusia, Kazakistani dhe Azerbajxhani i kanë tashmë marrëveshjet që ndajnë Kaspikun e veriut.

Ndarja e pjesës tjetër të shtratit detar do të kërkojë negociata të mëtejshme. Marrëveshja  gjithashtu lejon të ndërtohen gazsjellësit me pëlqimin e vetëm të shteteve, sektorët e të cilit do u  kalojnë përmes.  Kjo mund të zhbllokojë gazsjellësin shumë të debatuar Trans-Kaspik nga Turkmenistani drejt Azerbajxhanit, të cilin Rusia e ka kundërshtuar prej kohësh.

Konventa është fryt i shumë viteve negociata. Një faktor që mund të ketë shtyrë  më tutje është bashkëpunimi i Moskës me Teheranin  në Siri. Një tjetër është vijimi i sanksioneve nga ana e Amerikës në Iran, që e shtyn vendin të kërkojë bashkëpunime gjetiu. Quajeni fat!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë