Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, i mori disa sinjale pozitive nga miqësorja me Kosovën. Myrto Uzuni, me një asist dhe një gol, tregoi se është ndër lojtarët më në formë të momentit, kurse dy debutuesit Doka dhe Çepele iu përgjigjën pritshmërive dhe në një të ardhme të afërt mund t’i shërbejnë plot dinjitet fanellës kuqezi.
Mes titullarëve të përzgjedhur nga trajneri Reja ishte edhe Lindon Selahi, loja e të cilit ndoshta nuk ra aq shumë në sy sa ajo e lojtarëve të përmendur më sipër. Por mesfushori fantazist pati disa momente vërtet interesante, siç ishte ai i minutës së 64-t, kur u shkëput bukur dhe shërbeu për golin e Uzunit e më pas i la vendin Kallakut. Janë këta dy lojtarë që do të rivalizojnë mes tyre për pozicionit e 10-shit të Shqipërisë. Kanë karakteristika gati të njëjta dhe zgjedhja i takon trajnerit, në varësi edhe të skemës së lojës.

Selahi aktualisht nuk është në formën më të mirë, me klubin e tij në Holandë, Tuenten, ka luajtur vetëm pak si zëvendësues, kurse sezoni që shkoi ishte shumë i mirë për 21-vjeçarin, me 25 ndeshje, 23 nga të cilat titullar, si dhe 2 gola të realizuar. Një lojtar me cilësi mjaft të mira teknike, që në formë optimale mund të bëjë atë që bënte Ervin Skela në Kombëtare. Si për koincidencë, edhe Selahi mban numrin 13, ashtu si vlonjati që ishte thelbësor për aq sa luajti me Shqipërinë dhe mungesa e një lojtari me karakteristikat e tij vazhdon të ndihet edhe sot.
Ndonjë shkëndijë Lindon Selahi e dha ndaj Kosovës dhe nëse stafi kuqezi “investon” tek ai, Shqipëria së shpejti mund të ketë Skelën e ri. Ndoshta konkurrenca me Kallakun do ta ndihmojë atë të rritet, ashtu si dhe ish-lojtarin e Teutës. E sigurt është se te kuqezinjtë nuk mungon fantazia dhe as lojtari që i jep frymëmarrje skuadrës me mbajtjen e topit, tashmë është detyra e trajnerit të modelojë 10-shin e ri të Kombëtares, që në çdo lloj skeme loje, është i rëndësishëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




