Lindjet në ujë ofrojnë përfitime për nënat dhe të porsalindurit e tyre, me më pak komplikime. Një lindje në ujë përfshin përdorimin e një pishinë lindjeje, për të ndihmuar me relaksimin dhe lehtësimin e dhimbjes gjatë lindjes.
Në disa raste nëna del nga pishina në fazat e fundit të lindjes, ndërsa të tjerat rrinë në pishinë për lindjen dhe e nxjerrin të porsalindurin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Studiuesit analizuan 36 studime që përfshinin më shumë se 150,000 gra për të krahasuar ndërhyrjet e nevojshme gjatë dhe pas lindjes, midis dy llojeve të ndryshme të lindjes në ujë, krahasuar me kujdesin standard, pa përdorimin e pishinës së lindjes.
Analiza zbuloi se lindja në ujë – pavarësisht nëse gruaja ka lindur brenda ose jashtë pishinës – ka përfitime për gratë.
Krahasuar me kujdesin standard, lindja në ujë reduktoi ndjeshëm përdorimin e epiduraleve ose opioideve të injektuara dhe u lidh me më pak dhimbje dhe gjakderdhje të rëndë pas lindjes.
Praktika u konsiderua po aq e sigurt sa kujdesi standard dhe nuk uli nivelin e operacioneve cezariane.
Studiuesit nga Universiteti i Oksfordit Brookes thanë se lindja në ujë ofron përfitime për nënën dhe të porsalindurin kur përdoret në mjediset obstetrike.

Sipas tyre kjo metodë duhet të fillojë në maternitete.
Gjtihashtu lindja në ujë është një metodë efektive për të reduktuar dhimbjen gjatë lindjes, pa rritur rrezikun.
Mjekët duhet të jenë ‘të ndërgjegjshëm’ për të shmangur tërheqjen e kordonit të kërthizës kur e nxjerrin të porsalindurin në sipërfaqen e ujit.
Autorët paralajmëruan se ndërsa shumica e studimeve të përfshira janë kryer në njësitë obstetrike, nevojiten kërkime të mëtejshme për të analizuar efektet e një lindjeje në ujë.
Clare Livingstone, këshilltare e politikave profesionale në Kolegjin Mbretëror të Mamive në Mbretërinë e Bashkuar tha se ky është vërtet një lajm i mirë për gratë që zgjedhin të bëjnë një lindje në ujë ose mendojnë ta bëjnë një të tillë.
“Ka pasur një studim të mëparshëm që përshkruan përfitimet, për gratë dhe ky studim i rëndësishëm u shton peshë atyre”, shton ajo.
Lindjet në ujë filluan të fitonin popullaritet kur Departamenti i Shëndetësisë, i rekomandoi ato për lehtësimin e dhimbjeve në 1993.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




