Pak para se Kuvendi të përfshihej në procesin e votimit të pikave në rend të ditës, pas diskutimeve disa orëshe, Lindita Nikolla, njoftoi nga podiumi se jep dorëheqjen nga detyra e kryetares së Kuvendit.
“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon.
Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë.
Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im.
Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë.
Nëse në momente të caktuara, aspak të lehta, kur kjo sallë ka përjetuar situata të palavdërueshme konflikti, kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes dhe rregullores së këtij Kuvendi, këtë nuk e kam bërë si palë po si e para mes 140 të barabartëve”, tha ajo.
“…Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap”, tha Nikolla
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



