Shendet

Lija e majmunit, pse virusi i ri ‘Mpox’ godet dhe vret edhe fëmijët në Afrikë. A duhet të shqetësohemi?

Gazeta Si – Nuk infektohen vetëm meshkujt, të cilët kanë pasur marrëdhënie seksuale me meshkuj të tjerë, siç ndodhi në 98% të rasteve gjatë epidemisë së mëparshme të 2022-2023. Si transmetohet, kush është në rrezik, simptomat, masat paraprake të një virusi që OBSH-ja e ka shpallur emergjencë globale dhe ku para pak ditësh u shënua rasti i parë në Europë, Suedi.

Pse Mpox (i njohur më parë si lija e majmunit) është më virulent?

Lloji i ri i infeksionit Mpox, i quajtur clade 1b, duket më agresiv dhe virulent se ai përgjegjës për epideminë globale 2022-23 ose “kladi II”, vdekshmëria e të cilit ishte afër zeros (0.2%).

Megjithatë, tani, në Republikën Demokratike të Kongos, zona më e prekur, po regjistrohet një vdekshmëri shumë e lartë (nga 4% në 10-12%): nga rreth 14 mijë raste që nga fillimi i vitit, mbi 500 tashmë është regjistruar numri i të vdekurve.

Duhet sqaruar se këto janë të dhëna që kanë të bëjnë me një vend, ku edhe diarreja infektive shkakton një vdekshmëri deri në 6 herë më të madhe se ajo e regjistruar në vendet e avancuara nga pikëpamja shëndetësore.

Megjithatë, virusi, përveç se është agresiv, po përhapet me shpejtësi edhe në shtetet fqinje.

Kë prek ky virus?

Gjatë epidemisë 2022-2023, “kladi II” i Mpox preku, në 98 për qind të rasteve, burra që kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra të tjerë; tani, në Republikën Demokratike të Kongos, lloji i ri “klade 1b” po infekton njerëz të ndryshëm, veçanërisht fëmijët dhe të porsalindurit.

Pse kaq shumë fëmijë infektohen dhe vdesin?

Me shumë mundësi, sepse nënat kishin lezione të lisë në organet gjenitale të jashtme, kështu që të porsalindurit mund të jenë infektuar gjatë lindjes, ose pas lindjes, sepse bien në kontakt me lezione në gjoks ose në gojë, ose në pjesë të tjera të trupit të nënës.

Një fëmijë i prekur nga një virus kaq agresiv nuk ka një sistem imunitar të përshtatshëm për t’u mbrojtur, veçanërisht nëse ai jeton në një vend ku kujdesi shëndetësor mungon.

Si transmetohet virusi?

Infektimi mund të ndodhë përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën dhe mukozën e infektuar, për shembull lëngjet “të pasura” me viruse si gjaku, por potencialisht edhe përmes pështymës (pra me pikat e frymëmarrjes) nëse ka lezione në gojë, ose përmes kontaktit me të infektuarit me materiale (si çarçafë, rroba etj.).

Infeksioni nuk ndodh duke marrë frymë në një dhomë, ku ka një person që ka infeksionin.

Por në epideminë aktuale do të jetë e nevojshme të kuptohet nëse virusi ka fituar një kapacitet tjetër transmetimi, siç raportohet nga një artikull i botuar në revistën shkencore “Science”.

Cilat janë simptomat?

Sëmundja mund të shfaqet me temperaturë, lodhje, rritje të volumit të nyjave limfatike, përpara skuqjes me lezione karakteristike të lëkurës të lokalizuara shpesh në zonat gjenitale ose rreth anusit, por edhe në pjesë të tjera të trupit.

Në disa raste mund të zhvillohen forma serioze të sëmundjes, si sepsë dhe bronkopneumoni; në rrezik më të lartë janë fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me HIV.

Në Evropë, rasti i parë në Suedi, a duhet të shqetësohemi?

Ky është një rast “importimi” i lidhur me një udhëtim në zonat endemike; Për momentin nuk ka asnjë alarm, edhe pse do të ndodhin raste, jemi të pajisur për t’i menaxhuar siç kemi bërë gjatë epidemisë 2022-2023 me analiza, medikamente, vaksina.

A ka masa paraprake për të marrë?

Kushdo që kthehet nga një udhëtim në Afrikë, Republikën Demokratike të Kongos – ose zona të tjera endemike – dhe ka pasur kontakt me njerëz të sëmurë ose ka lezione të dyshimta, duhet të kontaktojë një specialist të sëmundjeve infektive.

Derisa të keni një diagnozë, është mirë të shmangni kontaktin me njerëz të tjerë.

Si vendoset diagnoza?

Ekzistojnë teste specifike të disponueshme në qendrat e sëmundjeve infektive për të diagnostikuar sëmundjen.

A mund të parandalohet Mpox me vaksinë dhe për kë indikohet?

Aktualisht ekziston një vaksinë e zbutur jo-replikuese (MVA-BN), e përdorur tashmë gjatë epidemisë së mëparshme në grupet e rrezikut (homoseksualët), duke lejuar ndalimin e saj.

Në situatën aktuale epidemiologjike nuk ka kuptim të fillohet me një fushatë vaksinimi, e cila në vend të kësaj duhet të kryhet në Afrikë.

A mund të kurohet sëmundja, pasi infektohet?

Në shumicën e rasteve sëmundja shërohet vetë, zakonisht brenda dy deri në katër javë. Në raste të rënda, mund të përdoren barna antivirale të përdorura tashmë me sukses në epideminë e mëparshme.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë