Gazeta Si – GJKKO lë në masën “arrest me burg” dhe inspektorin tjetër të IMT, Klajdi Zhilla me akuzën për korrupsion 1 mijë euro për mos heqjen e një tende në Kombinat.
Gjatë seancës Klajdi Zhilla ka mohuar akuzën, duke pretenduar se nuk ka qenë në dijeni të pazareve që janë bërë për subjektin në fjalë.
Sipas të dyshuarit, atë ditë ai ka qenë me shërbim në një tjetër subjekt, i cili ishte planifikuar për prishje. Sipas avokatit edhe transkriptet dhe fabula e organit të akuzës është ndërtuar gabim.
“Atë ditë kam qenë me shërbim në një tjetër subjekt që ishte planifikuar për prishje. Të nesërmen kam shkuar në një lokal me porosi të kolegut për të marrë një porosi”, mësohet të ketë thënë ai.
Zhilla u vetëdorëzua disa ditë pas operacionit të policisë dhe SPAK, ndërsa të shtunën në burg u la dhe inspektori Gerald Fuçia.
Rasti për të cilin po hetohen edhe dy punonjës të tjerë të IMT-së, u zbulua pas një denoncimi nga pronari i një objekti në zonën e Kombinatit, ku ishte konstatuar një tendë pa leje.
Sipas hetimeve, pas procedurës fillestare, një nga punonjësit i ka kërkuar pronarit 1 mijë euro ryshfet për të mos prishur tendën.
Policia organizoi një operacion për të kapur katër të dyshuarit dhe i dha pronarit paratë me numër serie, për të dokumentuar ryshfetin.
Dy punonjësit tentuan t’i fshehnin paratë në një lokal në gotën e kafesë, ku policia vëzhgoi veprimet përmes kamerave.
Inspektorët janë shkarkuar nga detyra menjëherë pas finalizimit të operacionit policor. IMT ka reaguar më 27 gusht, përmes një deklarate zyrtare ku i cilësonte sjelljet e inspektorëve të papranueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



