Nga Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për turkun Faruk Ozer, të kërkuar nga autoritetet turke, i cili akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat në vlerën e 2 miliardë dollarëve.
Bosi turk i kriptomonedhës Thedox do të qëndrojë në burg deri në përfundimin e procedurave për ekstradimin e tij në Turqi.
Avokatja turke e Faruk Ozer kërkoi që klienti i saj të mos ekstradohet në Turqi.
Sipas saj, në një prononcim të shkurtër për gazetarët, ka pretenduar se Faruk Ozer i ka dëmshpërblyer një pjesë të klientëve që ishin mashtruar me kriptomonedhat. Sa i përket shumicës së parave, avokatja tha se nuk është aq e lartë sa pretendohet në mediat turke dhe ato shqiptare.
Turku Fatih Ozer u arrestua në jug të vendit katër ditë më parë. Özer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se ka mashtruar 400,000 persona, të cilët kanë depozituar 2 miliardë dollarë kriptovaluta në bursë.
Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin e shumëkërkuar, u shoqëruan dhe 2 shtetas të tjerë për të sqaruar pozitën e tyre procedurale në raport me personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ozer ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke në prill 2021 për mashtrim me pasoja të rënda përmes skemës së kriptomonedhave.
Kompania përmes të cilës vepronte Faruk Fatih Özer shpalli falimentin, ndërsa ai u shpall në kërkim ndërkombëtar.
Atëherë u deklarua se “vlera e mashtrimit që shtetasi turk Faruk Fatih Özer ka kryer është rreth 2 miliard dollarë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.