Drejtësia

‘I gjeta në rrugë, s’e dija’, burg për mashtruesit e dollarëve të falsifikuar

Gazeta Si – Lihen në burg 3 të rinjtë e arrestuar 2 ditë më parë në Tiranë të akuzuar se hidhnin në treg kartëmonedha të falsifikuara.

Viard Kotori 29 vjeç dhe Etmond Dokushi e Ervin Kamolli 32 vjeç, nuk e pranuan akuzën në seancë.

Ata thanë se dollarët i gjetën në rrugë në zonën e Laprakës dhe shkuan më pas për t’i këmbyer me qëllimin që siç tha avokati, për të bërë për disa “ditë jetë luksi”.

Pavarësisht nga akuzat, ata janë shfaqur të qetë brenda kafazit të hekurt në gjykatë. Për ta, prokuroria ka kërkuar arrest me burg, masë që u konfirmua nga Gjykata e Tiranës.

Policia ra në gjurmët e tyre, kur Viard Kotori u paraqit me para false në një pikë këmbimi valutor. I riu u mundua të mashtrojë punonjësen për të thyer një sasi prej 2 mijë dollarësh të falsifikuara. Duke parë se shitësja e kuptoi mashtrimin, ai doli nga dyqani dhe u largua me shpejtësi.

Para trupit gjykues, 29-vjeçari mohoi që paratë false të ishin të tijat, por se i kishte gjetur ato në rrugë. Kotori shtoi para trupës gjykuese se kishte gjetur 8 mijë dollarë, por të tjerat i kishte djegur.

Ndërkohë avokati i Viard Kotorit, Enea Cenko, u shpreh se paratë klienti i tij i ka gjetur në rrugë dhe nuk i ka falsifikuar vetë.

“Klienti im, Vijard Kotorri i gjeti paratë në rrugë, në afërsi të Laprakës” tha avokati.

Ai tha se i riu sapo kishte marrë vesh që ishte shpallur në kërkim, ishte dorëzuar në polici. Sipas tij, i riu “ishte rritur në fshatin SOS, pasi prindërit e kishin braktisur”.

Identifikimi i autorit u bë përmes tatuazhit që kishte në krahë që dukej në kamerat e ‘Exchange-it’ dhe makinës që përdorte.

Të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer të paktën 20 shkëmbime parash false në pikat e këmbimit valutor.

Ata kanë hedhur në qarkullim nëpër biznese në Tiranë, por edhe qytete të tjera kartëmonedha të prerjes 50 dollarë.

Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi disa javor, ndërsa ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim.

Në total janë sekuestruar 3650 $, që nëse nuk do ishin kapur do të ishin gati për t’u hedhur në treg.

Në total, policia sekuestroi 3.650 dollarë, që nëse nuk do ishin kapur do të ishin gati për t’u hedhur në treg.

Sipas hetuesve tre të rinjtë kanë mashtruar me para false disa persona në Tiranë, Korçë, Lezhë dhe Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë