Politike

Ligji për privatizimin e pronës shtetërore, Basha: Prona në qendër të Tiranës do tu jepen personave Non-Grata, qendra albanologjike e para    

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e fokusoi bashkëbisedimin e tij me mediat tek ligji i miratuar të enjten në Kuvend për kalimin e pronave shtetërore tek privati vetëm me votat e PS

“Është e njëjta skemë si skema e inceneratorëve, është ligj me porosi apo vjedhje me ligj. Para disa javësh, ndërkohë ky ligj po diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrën tashmë të njohur të përpjekjes për të fshehur të vërtetat çka e pamë edhe tek ligji për amnistinë ku pretenduan për një kohë të gjatë që nuk do të përfitonin të korruptuarit dhe më pas u zbulua se afro 100 të dënuar nga SPAK dhe GJKKO, përfituan nga amnistia, edhe këtu pretenduan fillimisht se do të ishte thjesht transferim drejtorie nga një ministri në ministrinë tjetër, ku ndërkohë tinëzisht u futën dispozita ligjore të cilat mundësojnë që përmes tjetërsimit në forma të ndryshme, ankandit, shitjes, këmbimit, pronat publike të vihen në dispozicion të transaksioneve të caktuara”, tha Basha. Pa përmendur emra se kush do të përfitojë, Basha përmendi arsyet e miratimit të këtij ligji.

“Sipas sinjalizimeve të para që kemi, prona me vlerë në qendër të Tiranës, do të vihen në dispozicion të personave të shpallur non grata pikërisht për shkak të korrupsionit dhe pjesëmarrjes së tyre në krim të organizuar dhe në ndikimin e paligjshëm në procese zgjedhore.

Të tjera prona me vlerë, prona publike për momentin me statusin pronë publike, do të vihen në dispozicion të oligarkëve që po rrënojnë bregdetin dhe po ndërtojnë pa asnjë transparencë, duke zbardhur dhe pastruar paratë e korrupsionit të qeveritarëve nga Vlora në bregdet, në qendër të Tiranës dhe kudo tjetër”, tha ai. Sipas tij, Qendra Albanologjike e Tiranës, një nga pronat publike synohet të kalohet tek privati përmes ligjit që u miratua te enjten.

"Indiciet fillestare të marra përmes denoncimeve që vijnë në Partinë Demokratike, tregojnë se interesat e personave të shpallur non grata për arsye të krimit të organizuar dhe influencimit dhe korruptimit të zgjedhjeve, i kanë vënë syetë Institutit Albanologjik të Tiranës. Kjo është një nga mijëra pronat që bie nën këtë ligj dhe që po synohet përmes këtij ligji. Megjithatë ne, bashkë me departamentin Anti-Korrupsion, me departamentin tonë juridik po bëjmë analizën e plotë. E sigurt të jetë që në momentin e parë që të kemi diçka si me thënë është përtej dyshimit, këtë do ta bëjmë publike dhe do ta çojmë aty ku duhet çuar në SPAK” , tha ai

Basha njoftoi se PD-ja që ai drejton do ta dërgojë këtë çështje  në çdo instancë ligjore, kushtetuese dhe penale.

”Në radhë të parë duke dëmtuar interesin publik shqiptar, duke tjetërsuar pronat publike shqiptare. Dhe në rradhë të dytë duke vazhduar një krim të rëndë i cili kryhet mbi pronarët shqiptarë. Mbi ata të cilëve u është tjetërsuar prona nga regjimi komunist. Më pas nuk kanë përfituar dot as kthimin e pronës dhe asnjë kompensim me vlerën e ligjit, por kanë parë se si prona tashmë me statusin pronë publike, në vend që t’i nënshtroheshin një analize dhe më pas të përdoreshin për kompensimin e drejt të pronarëve, janë të grupuar në të ashtuquajturën Korporatë të Investimeve Strategjike dhe tashmë çfarë ka mbetur po i drejtohet kësaj tjetër afere, tjetër mekanizmi që ka një dhe vetëm një qëllim: të bashkëndajë përmes një skeme korruptive vlerat e pronave publike mes një grushti oligarkësh dhe zyrtarëve të korruptuar shqiptarë”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë