Politike

Ligji për inspektimin / Qeveria riorganizon 14 institucione, mes tyre dhe AKU

Gazeta Si – Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, ka marrë vendimin për riorganizimin e institucioneve inspektuese të vendit.

Ky vendim, ka për qëllim sigurimin e standarteve që inspektorët të kenë njohuritë, aftësitë dhe integritetin e posaçëm për ushtrimin e funksionit të tyre.

Do të jenë 14 institucione të cilat do të riorganizohen. Bëhet fjalë për:  Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Instituti i Shëndetit Publik.

Inspektorët, do i nënshtrohen trajnimit për 15 ditët, e më pas do të kryejnë teste. Testet do të jenë në teori dhe praktikë, e më pas do të vlerësohen me pikë nga KREK-u.

Pasi kandidatët të kenë kaluar me sukses testimet, do të përfitojnë kartën e inspektorit, që do të lëshohet nga Inspektori i Përgjithshëm. Kjo kartë, do të mbartë emrin, mbiemrin, foton, numrin unik identifikues, datën e lëshimit e të skadencës, fushën e inspektimit ose specializimit, por dhe element të tjerë shtesë që do të parandalojnë falsifikimin e tyre.

Sakaq, inspektorët aktualë në detyrë, të cilët nuk janë testuar për njohuritë e tyre prej më shumë se katër vite, do i nënshtrohet provimit të parë periodik brenda një viti, që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

E gjitha kjo vjen, pasi kryeministri Edi Rama, kërkoi pezullimin e punës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ndërkohë, më 12 korrik 2025, u vendos për ngritja e një komisioni të posaçëm me pesë anëtarë që do të vlerësojë inspektorët e AKU-së.

Tre prej këtyre anëtarëve do të jenë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Përveçse se do vlerësojnë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së, në fokus do të jenë edhe aplikantët e rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë