Nga Gazeta Si- Qeveria duket se nuk do të tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, por do të vendosë rastet kur mund të mos pranojë vendimet që Strasburgu merr kundër Tiranës zyrtare.
Sipas projektligjit të miratuar së fundmi, janë gjashtë raste gjithsej ku refuzohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare.
“Refuzimi ndodh kur sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin”, thuhet në projektligjin e miratuar së fundmi nga qeveria.
Rastet e tjera lidhen kur përbërja e autoritetit të arbitrazhit ose e procedurës së arbitrazhit nuk ishte në përputhje me marrëveshjen e palëve ose mungon një marrëveshje e tillë, apo ku gjykata konstaton se: objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar dhe ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.
Kohët e fundit pati një debat në lidhje përplasjet e qeverisë me çështjen e biznesmenit italian Beccheti, ku shteti shqiptar humbi çështjen në gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe u ndëshkua me 110 milionë euro dëm. Për këtë arsye kryeministri Edi Rama pati deklaruar se mund të merrej konsideratë që Shqipëria të dale nga Arbitrazhi.
NENI 47
Shkaqet për refuzimin e njohjes së vendimit përfundimtar të arbitrazhit të një shteti të huaj përfshijnë rastet kur:
a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në juridiksionin e gjykatës së arbitrazhit që ka dhënë vendimin;
b) palët në marrëveshjen e arbitrazhit, në bazë të ligjit të zbatueshëm për to, nuk kishin zotësi të plotë për të vepruar, ose marrëveshja në fjalë nuk është e vlefshme sipas ligjit, të cilit i janë nënshtruar palët ose mungon ndonjë përcaktim sipas ligjit të vendit ku është dhënë vendimi ose palës kundër së cilës jepet vendimi;
c) kërkesëpadia nuk i është njoftuar palës tjetër në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet apo nuk i është dhënë njoftimi i rregullt për caktimin e arbitrit ose të procedurës së arbitrazhit ose pala ka qenë e paaftë për të paraqitur rastin e saj;
ç) vendimi trajton një mosmarrëveshje të paparashikuar në marrëveshjen për arbitrazh ose nuk hyn në klauzolën për arbitrazhin ose përmban vendime për çështjet që tejkalojnë fushën që i nënshtrohet arbitrazhit; Megjithatë në qoftë se vendimet për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit mund të veçohen nga ato që nuk i janë nënshtruar, ajo pjesë e vendimit, e cila përmban vendime për çështje që i nënshtrohen arbitrazhit, mund të njihet dhe të ekzekutohet;
d) përbërja e autoritetit të arbitrazhit ose e procedurës së arbitrazhit nuk ishte në përputhje me marrëveshjen e palëve ose mungon një marrëveshje e tillë;
dh) gjykata konstaton se: i. objekti i mosmarrëveshjes nuk mund të zgjidhet me arbitrazh sipas legjislacionit shqiptar; ii. ekzekutimi i vendimit do të ishte në kundërshtim me rendin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.