Ekonomi

Ligji në Parlament / Taksa e jashtëzakonshme për prodhuesit e energjisë do të jetë në fuqi një vit

Qeveria ka dërguar në Parlament, projektligjin që detyron tre prodhuesit e energjisë në vend që të paguajnë taksën e jashtëzakonshme.  Sipas draftit që hyn në fuqi nga janari i vitit 2023 të ardhurat shtesë të krijuara nga prodhuesit e energjisë elektrike i nënshtrohen një kontributi solidariteti të përkohshëm të detyrueshëm.

“2. Kontributi i solidaritetit llogaritet mbi të ardhurat shtesë të krijuara në vitin fiskal nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lek/kwh. 3. Norma e zbatueshme për llogaritjen e kontributit të solidaritetit është në masën 50% të bazës së referuar në pikën 2, të këtij neni”, thuhet në dispozitën e këtij projektligji.

Kontributi i solidaritetit derdhet në një llogari të veçantë të buxhetit të shtetit dhe ky kontribut përdoret në mënyrë transparente për paketat sociale në ndihmë të qytetarëve.

Drafti shoqërohet edhe me metodologjinë e llogaritjes së kontributit që duhet të paguajnë tre prodhuesit e mëdhenj të energjisë. “Llogaritet çmimi mesatar i ponderuar me sasitë respektive të shitjeve të energjisë elektrike gjatë vitit paraardhës;  b) Llogaritet sasia e energjisë elektrike e shitur me çmime të liberalizuara gjatë vitit paraardhës;  c) Llogariten të ardhurat shtesë të vitit paraardhës, duke zbritur çmimin mesatar të ponderuar të shitjes së energjisë nga çmimi 8.5 lek/kwh dhe shumëzuar me sasinë e shitur gjatë vitit paraardhës; ç) Llogaritet kontributi i solidaritetit duke shumëzuar të ardhurat shtesë të vitit paraardhës me normën 50%”, thuhet në nenin 6 të  këtij projektligji.

Pagesat do të realizohen me dy këste të barabarta. Kësti i parë i shumës së përgjithshme të kontributit të solidaritetit të vitit paraardhës paguhet deri më 31 mars dhe kësti i dytë paguhet deri më 30 nëntor. Rivlerësimi i përllogaritjes së kontributit të solidaritetit aplikohet në rast se çmimi mesatar i shitjes është 50 % më i ulët sesa çmimi mesatar i shitjes së energjisë në bursën hungareze. Aktualisht ai llogaritet në mbi 180 euro/Mwh.

Ligji nëse miratohet në Parlament do të jetë në fuqi deri në dhjetor të vitit 2024. Ky ligj do të zbatohet për të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike, rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, të cilët e tregtojnë këtë produkt me çmime të liberalizuara. Ky ligj nuk zbatohet për prodhuesit e energjisë elektrike, ndaj të cilëve është vendosur detyrimi i shërbimit publik në zbatim të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, ose që kanë kontratë shitblerjeje energjie elektrike me operatorë publikë. Qeveria e argumenton një nismë të tillë, edhe sipas praktikave të marra nga Bashkimi Europian, që synon mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve nga kriza e energjisë elektrike në Evropë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë