Nga Gazeta ‘SI’ – Pronat publike të Shqipërisë do t’i jepen bizneseve private për të ndërtuar pallate dhe kulla.
Ligji i miratuar me urgjencë dhe pa konsultim nga qeveria, është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Aty thuhet se prona shtetërore mund të bëhet private me anë të shitjes dhe tjetërsimit. Kriteret për vlerësimin e pronave që privatizohen apo shkëmbehen, si dhe procedurat e format e privatizimit, mënyrat e shkëmbimit të pronës shtetërore, si dhe rastet përjashtimore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
LEXO EDHE:
– Shqipëria në shitje/ Qeveria jep 200 mijë m2 tokë publike për të ndërtuar kulla
– Tokë publike falas për privatin / Si u tjetërsua në 60 minuta ligji për privatizimin e pronës shtetërore
Por pika më delikate është ligjërimi i shembjes së godinave publike në favor të ndërtuesve. Pra, nëse toka ku jepet leja e zhvillimit ka në të një institucion publik, që “i zë rrugën” projektit, godina do të shembet, për të vijuar me planin.
“Kur pasuria shtetërore që përmban objekte apo ndërtesa shtrihet në gjurmën e projekteve për të cilat është miratuar leja e zhvillimit në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, objektet dhe ndërtesat ekzistuese të ndodhura në këtë pasuri shemben në funksion të zhvillimit të projektit në përputhje me procedurat e parashikuara në legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Shpenzimet e shembjes, si dhe vlera kontabël e këtyre objekteve apo ndërtesave, përballohen nga subjekti zhvillues i projektit.”
Ky ndryshim u quajt antikushtetues nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e cila tha se është e pamundur dhënia e lejes së ndërtimit në një tokë përveç se shtetërore, ka ndërtesa në të.
Pronat publike pas këtij ligji nuk janë më në juridiksionin e ministrisë së Financave, por të Ekonomisë.
Por qeveria ka bërë gati të gjithë listën e godinave publike që do të shemben dhe do të zëvendësohen me kulla, në zonat më të lakmuara të Tiranës. Në listë janë godinat e ASHK-së, midis zonës së Bllokut dhe Liqenit, godina e Autoritetit Civil pranë Komunës së Parisit, ish-fakulteti i Inxhinierisë tek 21-Dhjetori etj.
Plani i qeverisë Rama për të miratuar këtë ligj qe i shpejtë. Gjithçka nisi nga një komision ekonomie, ku brenda 60 minutash socialistët propozuan dhe miratuan privatizimin e pronës shtetërore. Ndonëse drafti u kundërshtua nga opozita dhe jo vetëm, e u kërkua hapja e një konsultimi publik, siç ndodh me draftet e tjera, mazhoranca e miratoi brenda pak minutave në Parlament.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.